Reforma në drejtësi, pas dy vitesh punë, procesi kthehet në pikën zero
Në emisionin “Kallxo Përnime” po debatohet për gjetjet e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Raporti i DASH ka përmendur korrupsionin, mungesën e transparencës së Qeverisë, dhunën, rastin e mostrave të Astrit Deharit, krimin e organizuar, mungesën e reformës në drejtësi etj.
Reforma në drejtësi, e nisur nga Ministria e Drejtësisë për përbërjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka ngecur në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo e fundit kishte thënë se Ligji ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe si i tillë nuk mund të kalojë.
Valdet Hoxha, avokat dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se Ligji duhet të amendamentohet në tërësi dhe sipas tij kjo është një fitore e sistemit të drejtësisë.
“Është një tërheqje e veshit të Qeverisë për këtë ligj, në të ardhmen, por edhe për ligjet e tjera që sipas informatave do të ketë po ashtu vendime të tilla” – ka thënë Hoxha.
Sipas tij, kthimi mbrapsht i këtij ligji ka qenë i pritur.
“Të zgjidhet 50% e anëtarëve të KPK-së nga Parlamenti është puro politik dhe sot kemi një Qeveri me 50.1%, nesër mund të kemi me 60%” – ka thënë më tej Hoxha.
Ndërsa Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, ka thënë se kthimi i këtij Ligji është lajm i mirë për shkak se po mbrohet Kushtetuta, por lajm i keq sepse Kosova ka dështuar të hartojë një ligj i cili, sipas tij, do të garantonte reformë në KPK.
“Kjo qeverisje e Këshillit Prokurorial ka pasur defekte gjatë krejt mandatit të vet, me problemet e disiplinimit, avancimit, rekrutimit të cilat i ka krijuar gjatë kësaj kohe dhe është e domosdoshme me e pasë një reformë brenda sistemit të drejtësisë” – ka thënë Gashi.
Gashi ka theksuar se ky Ligj nuk është rrëzuar vetëm për shkak të mandatit politik të anëtarëve të KPK-së, por edhe për shkak që është përfshirë edhe Avokati i Popullit në përzgjedhjen e anëtarëve të KPK-së.
“Gjykata Kushtetuese e ka thënë një element shumë të rëndësishëm, nuk mund të jesh mekanizëm monitorues edhe në të njëjtën kohë t’i zgjedhësh njerëzit të cilët do t’i monitorosh, gabime bazike këto të cilat nuk janë vërejtur as nga pozita, as nga opozita, as ekspertët, as nga askush” – ka thënë Gashi.
Ndryshe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar mënyrën se si ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po mundohet ta kontestojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për KPK-në.
Tahiri në një konferencë për media të shtunën, kishte thënë se të gjitha iniciativat e Qeverisë në drejtësi nuk prodhojnë asgjë konkrete ose janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Sa herë e çojmë Albulenën në Gjykatë, si të rregullt apo Kushtetuese, e fitojmë rastin. Gjitha iniciativat e tyre tashmë nuk prodhojnë asgjë konkrete apo efektive në terren. Ose janë në kundërshtim me Kushtetutën, ose janë aq të dobëta sa nuk mbërrin efekte për t’i mundësuar qasje më të lehtë të qytetarëve në drejtësi” – ka thënë ai.