Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com

Haxhiu fajëson institucionet e drejtësisë për ngecjet në reformën për drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka cilësuar si sfidë jetësimin e reformës në Drejtësi dhe moskalimin e Kodit Civil.

Në një konferencë për media të mbajtur më 14.02.2024, ajo ka thënë se pengesat në reforma janë shkaktuar pikërisht nga institucionet e drejtësisë.

“Edhe pse kemi një aktgjykim për vettingun, institucionet e drejtësisë insistojnë që nuk ka nevojë për vetting. Nuk e kemi pas mbështetjen prej partnerëve për vettingun, përveç Mbretërisë së Bashkuar. Edhe në rastin e amendamenteve për vettingun edhe për byronë e KPK, po merr kohë një vit për një vendim”, deklaroi Haxhiu.

Ajo përkujtoi se amendamentet për Vetting do të jenë në rend të ditës në Kuvend gjatë kësaj jave.

Para konferencës që Haxhiu e mbajti bashkë me ministrin e Financave Hekuran Murati, u mbajt mbledhja e 188-të e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Gjykatën Administrative. Ministrja Haxhiu sqaroi se kjo gjykatë do të ndahet në dy shkallë dhe do të ketë gjithsej 34 gjyqtarë.

Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin përfundimtar për shpronësim të pronave për projektin e zgjerimit të segmenteve të rrugës Kijevë- Zahaq dhe Kijevë- Dollc.

Përveç kësaj, Qeveria ka miratuar edhe propozimin përfundimtar për shpronësim të pronave për projektin për ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, segmenti Banullë-Bresalc.

Pakënaqësitë e gjyqësorit për pagat, mospajtimet rreth Vettingut e ‘kritikat’ qeveritare