Institucionet e drejtësisë nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për reformën në drejtësi

Institucionet e drejtësisë janë bërë bashkë duke nënshkruar një deklaratë për reformën në drejtësi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Supreme dhe Ministria e Drejtësisë, u zotuan se do të themelojnë grupe punuese për të fuqizuar kuadrin ligjor.

Kjo deklaratë u nënshkrua pas propozimit të KGJK-së që ishte bërë në muajin shkurt në adresë të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Deklarata thotë se institucionet e mandatuara të drejtësisë, pjesë e këtij zotimi për përbashkët, do të themelojnë grupe punuese të cilat bashkë kryesohen nga institucionet nënshkruese të kësaj deklaratë, ndërsa MD merr përsipër që këtë nismë të e adaptoj në programin e saj legjislativ.

Në deklaratën e përbashkët institucionet e drejtësisë u zotuan se në kuadrin ligjor do të punojnë që të përfshihen:

• Vlerësimi i Performancës së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
• Procesi i Rekrutimit, Emërimit dhe Riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
• Sistemi i Disiplinimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
• Sistemi i Verifikimit të Profilit të Kandidatëve për Gjyqtarë dhe Prokurorë;
• Zhvillimi Profesional i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
• Forcimi i Mekanizmave për Deklarim të Pasurisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë
• Statusi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe
• Zbatimi i Rekomandimeve nga Misioni i TAIEX për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Institucionet nënshkruese të kësaj deklarate, pa paragjykuar procesin e Komisionit Ad hoc të Kuvendit të Republikës së Kosovës, rreth amandamenteve Kushtetuese dhe Ligjit për Vetting (pasi që institucionet nënshkruese të kësaj deklarate kanë qëndrime të ndryshme rreth amandamenteve Kushtetuese), dhe në linjë me Opinionin e Komisionit të Venecias, respektivisht rekomandimin e Venecias “për hyrje në dialog të plotë me Këshillat” marrim këtë zotim për ta jetësuar këtë pako të reformës ligjore me qëllimin përfundimtar fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë” – thotë tutje deklarata.

Dokumentin zyrtar mund ta gjeni në këtë LINK.