Ngecjet në drejtësinë kosovare, Departamenti amerikan i Shtetit ka përmendur rastin e 11-vjeçares së dhunuar

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për sistemin e drejtësisë në Kosovë është përmendur edhe rasti i dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë të dyshuar – një i rritur dhe katër të mitur.

Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se shteti dështon në hapin e parë në adresimin e problemit.

“Është dhunuar në motele përreth Prishtinës. A ka ndërmarrë shteti ndonjë veprim për të vendosur kontroll ndaj hoteleve, moteleve e qendrave të masazheve, kur krejt po e dimë çka po ndodh në to. Në Kosovë mund të marrësh dhomë moteli pa u regjistruar fare. Mund të fusësh në dhomë minorene apo çka të duash, nuk të sheh askush” – ka thënë Gashi.

Kreshnik Gashi ka shtuar se janë edhe disa vajza të tjera nën moshën 15-vjeçare që janë dhunuar muajt e fundit.

“E ke rastin hala më tragjik në Prizren, ku le që është dhunuar por edhe është filmuar marrëdhënia për ta shantazhuar viktimën” –  ka thënë Gashi.

Avokatja Saranda Keqekolla në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se është dashur që të analizohen të gjithë faktorët në mënyrë që të mos lejohej dhunimi i dytë.

“Gjithë ata që kanë bërë shkelje duhet të dalin para drejtësisë se vetëm kështu mund t’i parandalojmë këto raste. Deri te dhunimi i dytë i viktimës ka ardhur si rezultat i lëshimit të saj nga strehimorja, dhe pikërisht familja e ka kërkuar viktimën nga strehimorja e cila ka premtuar se do ta kontrollojë 24 orë” – ka thënë Keqekolla.

Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar është raportuar për dhunimin e një 11-vjeçareje në Prishtinë.

Kjo nxiti reagime të shumta në opinion, protesta e dorëheqje.

Në dhjetor, prokurorët kanë ngritur padi kundër të dyshuarve, duke i akuzuar me trafikim të personave, përdorim i shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit dhe pornografi me fëmijë.

Ndërsa në janar të këtij viti, Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë së Prishtinës në rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Me këtë vendim Apeli ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore, me të cilin aktakuza e prokurorisë ishte hedhur si jo e plotë.

Apeli çështjen e ka kthyer në rivendosje.

https://kallxo.com/ligji/rasti-i-dhunimit-te-11-vjecares-apeli-e-kthen-ne-rishqyrtim-vendimin-per-rrezimin-e-aktakuzes/