Pamje nga Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Deputetët Opozitarë Shkojnë Nesër në Kuqishtë

Ftesës së banorëve të Rugovës dhe ish-anëtarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion, Ali Lajçi, do t’i përgjigjen pozitivisht të gjithë deputetët e opozitës. Por, jo edhe ata të pozitës, ndonëse ftesa u ka shkuar të gjithëve pa dallim partie.

Ali Lajçi tha për KALLXO.com se ftesa që nesër në orën 15:00 të jenë në Kuqishtë u ka shkuar të gjitha grupeve parlamentare.

“Ftesa është protokolluar nga administrata e Kuvendit dhe u ka shkuar të gjitha grupeve parlamentare pa përjashtim. I presim nesër deputetët në Kuqishtë le të shohin çka po humbet Kosova”, tha ai.

Por, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha për KALLXO.com se ai e ka shkelur edhe në kohë të vështira dhe se e di mirë secilën pjesë të Kosovës, duke shtuar se të tilla ekspozime nuk i duhen vendit.

Grabovci tha se me Malin e Zi duhet të krijohen miqësi e jo të bëhen provokime.

“Kufiri nuk dëshmohet duke bërë ekskursione, por duke hulumtu e argumentu. Deputetët e kanë vendin në Parlament, aty ku debatohet e merren vendime”, theksoi ai.

Adem Grabovci tha po ashtu se është kundër veprimeve jashtinstitucionale dhe se u premton qytetarëve se asnjë vendim nuk do të bie ndesh me interesin e tyre.

Po ashtu, shefi i grupit parlamentar të PDK-së deklaroi se partia e tij është për caktimin e të gjithë kufijve të Kosovës, ngase sipas tij pa këtë Kosova do të mbetet vend i izoluar.

Por, ndryshe nga PDK kanë vendosur opozitarët.

Vetëvendosje, AAK e NISMA, secila veç e veç do të shkojnë nesër në Kuqishtë.

“Deputetët e Vetëvendosjes do të jenë nesër atje”, konfirmoi për KALLXO.com shefi i grupit parlamentar i këtij subjekti, Glauk Konjufca.

Po kësaj ftese u kanë thënë edhe AAK e NISMA.

“Ky është një akt simbolik dhe deputetët e partisë sonë do të jenë nesër në Kuqishtë. Na kanë ftuar qytetarët dhe ne do të jemi afër tyre”, tha për KALLLXO.com, Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të AAK-së.

“Po, deputetët e NISMA-s do të jenë nesër në këtë takim”, tha ndërkaq shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Valdete Bajrami.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, por ai nuk është përgjigjur thirrjeve tona. Edhe kontakti me disa deputetë të tjerë të kësaj partie ka qenë i pamundur.

Veç LDK-së, KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq dhe shefja e 6+, Mufera Ainik, por as ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve tona.

Nesër në orën 15:00, në Kuqishtë, rugovasit do të takohen me deputetët.

Kur kanë shkuar gjatë kësaj jave në këtë pikë, deputetët e Vetëvendosjes vendosën një flamur shqiptar dhe një tabelë me mbishkrimin “Republika e Kosovës”.

Një ditë më pas, autoritetet malazeze e larguan këtë tabelë ndërsa Podgorica zyrtare i drejtoi qeverisë së Kosovës një notë proteste për, siç thuhet, cenim të sovranitetit shtetëror të Malit të Zi.

MPJ e Kosovës e konfirmoi sot se e ka marrë këtë notë proteste, por veprimin e qeverisë malazeze e vlerësoi si të ngutshëm.

Sipas MPJ-së, marrëdhëniet e Kosovës me Malin e Zi janë “të shkëlqyeshme”.