Tryeza e organizuar për Javën Kundër Korrupsionit - Foto: KALLXO.com

De La Rosa: Të Kujtojmë Porosinë e Joe Biden në Kosovë

Duke folur për luftimin e korrupsionit, në javën kundër kësaj dukurie zëvendësdrejtori i misionit të USAID në Kosovë, Mike De La Rosa, në fjalën e tij hyrëse kujtoi fjalët e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kur ishte në Prishtinë.

“Shumë nga ju mund ta mbani në mend kur ishte Biden në Kosovë. Ai tha se korrupsioni është kancer që e ha shoqërinë brenda dhe nëse nuk luftohet pasojat janë të mëdha”, tha De La Rosa.

Më tej, ai tha se korrupsioni shterron resurset ekonomike dhe i largon bizneset, vë në rrezik çdo gjë që Kosova shpreson të arrijë e shpreson të bëhet.

http://kallxo.com/biden-arrin-ne-kuvend/

Theks të veçantë ai i dha prokurimit, si një nga hallkat më të ndjeshme në këtë luftë.

“Ne kemi mbështetur tranzicionin e Qeverisë së Kosovës në e-prokurim. Në të ardhmen do të nisim projekt 5 vjeçar në nivel lokal në përforcimin e e-Prokurimit. Do t’i trajnojmë 52 OJQ që të monitorojnë korrupsionin. Kjo është mënyrë më e lehtë që të mbahet përgjegjëse Qeveria në llogaridhënie”, shtoi zëvendësdrejtori i USAID-it në Kosovë.

Në panelin me temën “Luftimi i korrupsionit përmes transparencës buxhetore dhe rishikimit të raportit të Auditorit të Përgjithshëm” foli edhe Nora Latifi – Jashari nga instiuti GAP.

“GAP bën dhjetëra kërkesa në qasje në dokumente publike e janë një mori institucionesh që nuk na përgjigjen fare. Kërkojmë qasje për shpenzimet për dreka zyrtare, telefona, vizitat jashtë vendit e karburant, por nuk marrim përgjigje”, tha ajo.

Ajo tha se janë tri institucione komplet të mbyllura në këtë drejtim: ZKM, MPJ dhe ME.

“E për çudi MPJ ka qenë bartëse e projektit për ‘open gonverment partnership’”, tha ajo.

Ndërsa zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se transparenca buxhetore duhet të rikonceptualizohet si parakusht për menaxhim më të mirë të financave publike.

“Ne si MF kemi vu para vetes si synim që të rrisim transparencën në menaxhim të financave publike”, tha Krasniqi teksa listoi disa pika që kanë të bëjnë me transparencën fiskale dhe buxhetore.

“Vetëm në 2015 kemi marrë vendim në Qeveri që e-prokurimi formë të bëhet i obligueshëm.  Të gjitha organizatat buxhetore në nivel qendror e lokal do të punojnë me e-prokurim. E midis zyrtarëve publikë e operatorëve ekobomikë zvogëlohet komunikimi me e-prokurim”, tha zëvendësministri.

Por, Krasniqi tha se nuk mungon llogaridhënia, por se me decentralizim ka keqkuptim nganjëherë.

E Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tregoi që raportet e auditorit janë 100% transparente, por se auditori nuk ka “dhëmbë” që të bëjë më shumë.

“Ta kuptojmë rolin e Auditorit të Përgjithshëm. Pritjet e publikut janë se ne mund e duhet të bëjmë me shumë. Zyra e auditorit nuk ka sanksione që t’i detyrojë organizatat buxhetore t’i implementojnë rekomandimet tona. Zyrës së Auditorit i mungojnë dhëmbët”, tha ai.

Po ashtu, Osmani tha se raportet e Auditorit të Përgjithshëm janë 100% transparente dhe se kjo bëhet për të maksimalizuar efektin e tyre.

“Veç vitin e kaluar kemi dhanë 1,300 rekomandime, e 800 me shkallë të lartë të rrezikut. Vetëm në këtë qershor kemi dhanë 92 raporte”, shtoi ai.

Osmani bëri thirrje që raportet e Auditorit të Përgjithshëm të mos mbeten vetëm në faqen zyrtare të institucionit, por të përdoren, sidomos nga OJQ-të e mediat “për presion”.

Java kundër korrupsionit do të vazhdojë me aktivitete deri të premten më 9 dhjetor.

KALLXO.com raporti sot rreth aktiviteteve të organizuara për javën kundër korrupsionit.

http://kallxo.com/ambasadoret-korrupsioni-e-minon-shtetin/

http://kallxo.com/krasniqi-masa-qe-kallxuesi-murat-mehmeti-te-ndihet-rehat/