Besnik Osmani, Auditor i Pergjithshem. Foto: "ZKA"

Besnik Osmani: Rreth një e treta e rekomandimeve të Auditorit nuk adresohen

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka prezantuar punën e bërë gjatë vitit 2020.

ZKA-ja gjatë këtij viti ka publikuar 132 raporte dhe është anëtarësuar në dy organizatat ndërkombëtare të auditimit: e para në nivel botëror INTOSAI, e tjetra në nivel evropian EUROSAI, ka krijuar sistemin elektronik të auditimit, ka përditësuar doracakët e metodologjisë së auditimeve, kanë miratuar Strategjinë e Komunikimit 2020-2023 dhe Doracakët Administrativ.

“Për të përmirësuar mënyrën ekzistuese të menaxhimit, në raportet tona financiare e të perfomancës kemi dhënë mbi 1100 rekomandime për institucionet publike të audituara. Megjithatë, rreth një e treta e rekomandimeve të dhëna mbesin fare të paadresuara dhe rrjedhimisht përsëriten në raportet tona vit pas viti, derisa vetëm rreth 40% të rekomandimeve janë adresuar. Kjo shkallë e zbatimit të rekomandimeve nuk siguron menaxhim të shëndoshë financiar dhe qeverisje të mirë.”, ka thënë Besnik Osmani, Audtori i Përgjithshëm.

Sipas vlerësimit të ZKA-së  rreth 70% e institucioneve kanë mungesë të strategjisë, politikave dhe procedurave për zhvillimin si dhe mirëmbajtjen e tyre.

Për 13 ndërmarrje është dhënë opinion negativ për vitin 2019, pasi që rezultatet e auditimit shpalosin se raportimi financiar është i pasaktë.

“Gjashtë ndërmarrje publike kishin prezantuar rezultat negativ financiar që në total paraqesin humbje prej mbi 28 milion euro. Të gjitha Ndërmarrjet e audituara së bashku, kanë afër 161 milionë euro detyrime afatshkurtra apo afatgjata”, ka thënë Osmani.

Tutje, Osmani ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditimit mesatarisht çdo 3 ditë kalendarike ka publikuar një raport këtë vit. Të gjitha këto raporte janë në 3 gjuhë në mënyrë që publiku kosovar të ketë mundësi për t’u informuar.