Auditori i Përgjithshëm ia dorëzon Kuvendit raportin vjetor të performancës për vitin 2020

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, sot është pritur në takim nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), Armend Muja, të cilin e ka informuar për finalizimin e procesit të auditimit për sezonin 2020/21 dhe për vështirësitë me të cilat është duke u ballafaquar ky institucion në realizimin e planit të auditimit.

Sipas një komunikate për media, ata kanë biseduar për modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe KBPT-së me qellim që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm/Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e ka dorëzuar  në Kuvendin e Kosovës edhe Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020. Pas dorëzimit, raporti është publikuar në uebfaqen e ZKA-së.

“Raporti Vjetor i Performancës përmban informata të rëndësishme rreth performancës së institucionit të Auditorit të Përgjithshëm në përmbushjen e obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA). Puna e  Zyrës gjatë vitit 2020 është mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021, Planin Vjetor të Auditimit 2019/20, që paraprakisht i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, si dhe në Planin Operativ 2020”, thuhet në komunikatën e ZKA-së.

Sipas Osmanit, pavarësisht sfidave me pandeminë COVID 19, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore, e që sipas tij, gjatë vitit 2020 ka kryer numrin më të lartë të auditimeve të rregullsisë që nga themelimi.

Ai ka thënë se përmes rekomandimeve praktike, ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

“Janë audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë euro, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 8 auditime të performancës me fokus tema komplekse, si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve”, është shprehur Osmani.

Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020 mund ta gjeni në këtë link.