Përfundon projektit Poloni-Kosovë për fuqizimin e ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani dhe Auditori i Përgjithshëm i Polonisë, Marian Banas kanë mbajtur konferencë për media me rastin e përfundimit të Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë”.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani tha se objektiva e përgjithshme e projektit ka qenë përmirësimi i financave publike në Kosovë dhe të ndihmojë në promovimin e transparencës duke rritur llogaridhënien.

“Unë ndihem krenar që sot kemi një strategji të komunikimit, me Parlamentin dhe me qytetarët. Kemi ndërtuar një bazë të të dhënave me rekomandime. Dua të falënderoj BE-në që e ka financuar projektin. Ne kemi besim që kontributi i taksapaguesëve evropianë ka shkuar në adresën e duhur”, tha ai.

Ai ka shtuar se projekti u ka ndihmuar shumë në ngritjen e përgjegjësive sa i përket respektimit dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

“Duke përditësuar metodologjinë audituese, duke e përafruar me standarde ndërkombëtare të auditimit, ne kemi vazhduar të ndjekim trendin e ndryshimit dhe dinamikës përgjithësisht, jo vetëm në Kosovë, por edhe në nivel ndërkombëtar”, theksoi Osmani.

Kurse, Auditori i Përgjithshëm i Polonisë, Marian Banas tha se është krenar për zbatimin e këtij projekti në Kosovë.

“Të dyja, Polonia dhe Kosova kanë përjetuar jetën në totalitarizëm dhe me rregulla komuniste. Jemi krenarë që kemi arritur të kemi pavarësinë dhe vlerat demokratike”, duke shtuar se fondet për projektin në fjalë u përkasin qytetarëve.

Banas ka theksuar se institucioni suprem i audimit në çdo vend duhet të jetë në gjendje që të jetë pjesë e autoritetit shtetëror.

“Është një burim i çmuar dhe objektiv i informacioneve ashtu që të shihet se si po shpenzohet aseti i qytetarëve”, tha ai.

Ndërsa, Hillen Francke nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se është e kënaqur për rezultatet e mira të projektit, përkundër situatës me pandeminë COVID-19.

“Si BE jemi të kënaqur me bashkëpunimin e mirë të të dyja institucioneve. Të dyja palët kanë treguar fleksibilitet marrë parasysh të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur. Nuk është hera e pare që po e mbështesim ZKA-në ky është projekti i shtatë i financuar nga BE-ja”, tha ajo.

Sipas ZKA-së, projekti është dizajnuar në tri shtylla: shtylla e parë  ka pasur për qëllim ta ndihmojë ZKA-në që të përmirësojë komunikimin me qytetarin me Kuvendin dhe palët tjera të interesit, shtylla e dytë që të ngrisë më tej kapacitet institucionale të ZKA-së sidomos në metodologjinë e dhënies së rekomandimeve dhe shtylla e tretë, e më kryesorja ka pasur për qëllim të ndihmojë ZKA-në të përditësojë metodologjinë e auditimit dhe të sigurohen që ajo është në pajtim me standardet ndërkombëtare me institucionet supreme të auditimit.

Në këtë konferencë tutje u tha se sfidë mbetet ngecja e zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit nga ana e institucioneve.