Auditori i Përgjithshëm: Nuk dihet sa është pasuria publike e Kosovës

13 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ende nuk e di se sa është pasuria e saj publike, ku bëjnë pjesë pronat, ndërtesat, objektet dhe gjërat përcjellëse.

Kështu ka thënë në “Kallxo Përnime” Besnik Osmani nga Zyra Kombëtare e Auditorit.

“Askush në Kosovë dhe as institucionet nuk e dinë saktë se cila është pasuria publike, ku përfshihen pronat edhe ndërtesat dhe gjitha pajisjet tjera me të cilat operojnë institucionet publike. Unë po dua të ua sjell para jush shembullin e vitit 2020, për 80 auditime të kryera për 80 institucione, që nuk është e plotë sepse 12 të tjera janë në proces përfundimtar”, tha Osmani.

Ai ka përmendur disa shifra që janë nxjerrë nga auditimet e deritanishme por tha se ato nuk janë të sakta.

“Në këto 80 institucione, në nivel qendror kemi 2 miliardë e 445 mijë euro pasuri që ne e kemi gjetur, që nuk është e regjistruar, që e tregon një gjendje më të vogël sesa është në realitet”, tha ai.

“Në nivelin komunal ne e kemi diku gjysmë milion euro pasuri e mbivlerësuar, që vërtetë është më pak. Këto shifra i referohen të dhënave që janë në sistemet e menaxhimit të pasurisë”, tha tutje Osmani.

Ai tha se një rekomandim ka qenë për ekzekutivin e vendit që të themelohet një agjenci e cila do të merrej me regjistrimin e pronave.

“Askush nuk e di se sa nuk janë të regjistruara, ku përfshihen shumë prona, shumë objekte shkollore, spitale e ndërtesa të tjera të cilat mund të jenë në regjistrin kadastral dhe dihet pronari i tyre por nuk figurojnë në kontabilitetin material të pasurisë”, deklaroi ai.

Osmani ka folur edhe për pasojat e mosregjistrimit të pronës publike.

“Pasojat janë të shumëfishta. E para, nuk e prezanton gjendjen e vërtetë të pasurisë, e dyta, kur nuk e dinë çfarë ke, nuk mund ta menaxhosh. Për shembull, mund të kesh tokë nga e cila mund të mos kesh të hyra, mund të përdoret nga dikush tjetër. Pra, do të rriste kapacitetin fiskal, të hyrat vetanake dhe do të ruante pronën publike nga dëmtimi, zhvatja e format e tjera”, deklaroi ai.