Pamje nga vendi i vrasjes në Pejë - Foto: KALLXO.com

Avokati: I Dyshuari për Vrasjen në Pejë Nuk u Arrestua por u Vetëdorëzua

Mbrëmë pas mesnatës sapo ka dalë nga Stacioni Policor i Pejës, avokati Bahtir Troshupa njoftoi për KALLXO.com së është angazhuar mbrojtës i të dyshuarit për vrasjen e djeshme në Pejë.

Avokati Troshupa tha se klient i tij është Kreshnik Haliti nga Peja, i cili po dyshohet për vrasjen e djeshme të Mentor Zekës me armë zjarri në lagjen “Fidanishte”.

Sipas avokatit, i dyshuari Kreshnik Haliti mbrëmë është vetëdorëzuar tek organet policore dhe ka mohuar të jetë arrestuar.

“Është vetëdorëzuar. Ka shkuar vetë të lajmërohet në Stacion Policor. Nuk është arrestuar. Unë sapo dola prej policisë”, tha ai mbrëmë pas mesnatës për KALLXO.com

Ndërkaq mbrëmë pas orës 22:00 për KALLXO.com prokurori i krimeve të rënda, Haxhi Sinanaj, tha se i dyshuari për vrasjen e djeshme është arrestuar nga Policia e Kosovës pas identifikimit nga kamerat e sigurisë.

http://kallxo.com/arrestohet-dyshuari-per-vrasjen-ne-peje/

Avokati Troshupa bëri të ditur se për shkak të gjendjes shëndetësore të të mbrojturit të tij, ka sugjeruar që ai të mos deklarohet mbrëmë rreth rastit.

“Me sugjerimin tim për shkak të gjendjes shëndetësore të tij nuk lejova që sonte të japë deklaratë. E lash për nesër. I sugjerova të mbrohet në heshtje. Për çdo gjë do njoftoheni me kohë”, tha pas mesnatës avokati Bahtir Troshupa.

Aktvendimin për ndalim prej 48 orësh të dyshuarit për vrasje e djeshme e ka konfirmuar mbrëmë për KALLXO.com prokurori kujdestar, Haxhi Sinanaj.

Javën e kaluar një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Pejë.

http://kallxo.com/vrasje-ne-peje-2/

Për ketë rast Policia e Pejës arrestoi dy persona të dyshuar.

http://kallxo.com/vrasja-ne-peje-video-nga-vendi-ngjarjes/

Ndaj dy të dyshuarve Gjykata Themelore e Pejës caktoi masën e sigurisë një muaj paraburgim.

Që nga paslufta në Pejë kanë ndodhur shumë vrasje, të cilat kanë bërë që qyteti të konsiderohej si më i pasigurti në aspektin e sigurisë.

Mirëpo, në tri vitet e fundit vrasjet në këtë qytet ishin rralluar dukshëm.