Pejë, mungon avokati dështon seanca për vrasjen që dyshohet se u krye shkaku i borxhit prej 77 mijë eurove

Gjykata e Pejës ka dështuar të vazhdojë seancën gjyqësore për vrasjen e 6 marsit të vitit 2017, ku nga plumbat e shkrepur u vra Mentor Zekaj.

Për vrasjen e Mentor Zekajt është duke u gjykuar Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.

Vrasja po pretendohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurove që Kreshnik Haliti ia kishte Mentor Zekajt.

Ky proces gjyqësor ka filluar sot nga pika zero për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Lumturije Muhaxheri ka ndërruar jetë.

Në këto rrethana me këtë proces gjyqësor është duke udhëhequr gjykatësi Murat Hulaj.

Ndërsa, seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së mbrojtësit të akuzuarit Haliti, avokatit Besnik Berisha.

Gjykatësi Hulaj tha se avokati Berisha me parashtresë e ka njoftuar gjykatën që nuk mundet të jetë prezent në seancë sot, për shkak të angazhimeve me seanca tjera të caktuara paraprakisht.

Gjykatësi kërkoi nga pala e akuzuar që me rastin e komunikimit me avokatin e tij të e njoftoi se seancat nuk mund të shtyhen në pafundësi, andaj në rast se nuk mund të jetë prezent të dërgojë një avokat zëvendësues në seancë.

Në seancë nuk ishin prezent as dëshmitarët Haxhi Morina, Fadil Vuçetaj, Driton Zekaj, Art Muqa.

Seancat e radhës u caktuan me 24 dhe 30 shtator.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani të ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

22 vite burgim iu shqiptuan Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë, por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.