Gjykimi për vrasjen e 2017 në Pejë, gruaja e viktimës thotë se nuk është në gjendje më të jap deklaratë për këtë rast

Mirjeta Zekaj, ishte ftuar sot nga gjykata për të treguar versionin e saj për momentet tragjike të marsit të vitit 2017, ku nga plumbat e shkrepur u vra bashkëshorti i saj, Mentor Zekaj.

Për vrasjen e Mentor Zekajt po akuzohet Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.

Mirjeta Zeka para trupit gjykues deklaroi se për arsye shëndetësore i është ndaluar që të jap dëshmi për këtë rast duke thënë se kjo është hera e katërt që ka deklaruar për këtë çështje.

“Unë kam dhënë disa herë deklaratën, mua më është ndaluar me jep dëshmi për shkak të tensionit që e kam marrë në këtë shqyrtim, më është rekomanduar edhe mos me marrë fare pjesë, është shumë vështirë qe 4 vite me ja pa fytyrën këtij”, tha ajo.

Trupi gjykues me kryetar, gjyqtari Murat Hulaj, për shkak të gjendjes shëndetësore të deklaruar nga dëshmitarja, e liroi atë sot nga gjykimi, ashtu që deklarimi i saj do të bëhet në një seancë tjetër.

Ndërsa edhe babai i të ndjerit, Bajram Zekaj shprehi pakënaqësitë e tij për zhvillimin e procesit gjyqësor.

“Edhe faktet e bazuara po mundohen të përlyhen, është duke u shkelë ligji në këtë gjykatë nga mbrojtja, dua edhe unë të deklarohem”, tha ai.

Gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Art Muqaj, që është punëtor në lokalin e familjes së të ndjerit.

Ai tha se ditën kritike e kishte parë viktimën e gjakosur, të shtrirë në tokë diku 50 metra larg lokalit ku ai ishte duke punuar.

Paraprakisht ai tha se dëshmitari Haxhi Morina pasi ishte kthyer në lokal e kishte njoftuar atë se një person e kanë vra më poshtë lokalit.

“Kur u kthy Haxhia ka bërtite e ‘mbytën njërin’, një qel më një thikë e mbyti dikënd”, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, Lumturije Vucetaj, Muqaj tha se kur ka shkuar të vendi i ngjarjes, e kishte identifikuar se personi i shtrirë ishte Mentor Zekaj, në bazë të çantës dhe qafores që e kishte në qafë.

Dëshmitari tha se çanta ka qenë e mbyllur me patentë dhe se ishte në të njëjtën gjendje si në fotografitë që janë në shkresat e lëndës.

Ndërsa duke dhënë përgjigje në pyetjet e avokatit Besnik Berisha, Muqaj tha se i ndjeri dhe i akuzuari kanë qenë shokë, dhe se ai nuk kishte njohuri nëse mes tyre ka pas ndonjë mosmarrëveshje.

“Nuk e di pse ka ndodhë vrasja”, tha dëshmitari.

Seancat e radhës janë caktuar të mbahen me 5, 15 dhe 16 nëntor 2021.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani të ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

22 vite burgim iu shqiptuan Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë, por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Më këtë rast kishte udhëhequr gjyqtarja Lumturije Muhaxheri, por pasi e njëjta kishte ndërruar jetë, lënda i është ndarë gjyqtarit Murat Hulaj.