Vrasja e Mentor Zekajt, mospajtime mes avokatit të të akuzuarit dhe atij të palës së dëmtuar

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi për vrasjen e 6 marsit të vitit 2017, ku nga plumbat e shkrepur u vra Mentor Zekaj.

Për vrasjen e Mentor Zekajt është duke u gjykuar Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.

Vrasja po pretendohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurove që Kreshnik Haliti ia kishte Mentor Zekajt.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Lumturije Muhaxheri, njoftoi se ka aprovuar propozimet e mbrojtjes së të akuzuarit, ku është urdhëruar sigurimi i të dhënave nga databaza kriminale për të ndjerin Mentor Zekaj.

Po ashtu është bërë administrimi si provë edhe i ekspertizës balistike për ekzaminim e një brisku.

“Gjykata ka aprovuar propozimet e mbrojtësit të të akuzuarit ku edhe ka urdhëruar sigurimin e të dhënave nga databaza për të kaluarën kriminale. Po ashtu është urdhëruar ekspertiza balistike për ekzaminim balistik të një brisku, dhe ekspertizë për zjarrevënie lidhur me ekzaminimin e një çante”, tha gjykatësja Muhaxheri.

Po ashtu, trupi gjykues ka aprovuar propozimin ku është urdhëruar Agjencia për Forenzikë, Divizioni i Daktilografisë që të kryejë ekspertizë të gjurmëve latente të vijave papilare për një fishek.

Ndërsa, trupi gjykues kishte refuzuar propozimin e mbrojtësit për një riekzaminim të të akuzuarit në rrethanat e njëjta për të cilat është refuzuar më parë.

Prokurorja e rastit, Valbona Disha Haxhosaj, bëri vërejtje për të kaluarën kriminale të të ndjerit me arsyetimin se nuk janë siguruar aktgjykimet e plotfuqishme për këto raste.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokati Besnik Berisha, deklaroi se nuk e kundërshton që të sigurohen edhe aktgjykimet për këto raste.

“Nëse Prokuroria është e interesuar t’i sigurojë aktgjykimet për vjedhje të rëndë, vjedhje, posedim të paautorizuar të armëve, pjesëmarrje në rrahje, vrasje, lëndim i lehtë trupor, ne e përkrahim për këtë kërkesë ose Prokuroria të na njoftojë me statusin e tyre dhe po ashtu edhe Gjykata”, tha Berisha.

Për këtë deklarim të Berishës pati vërejtje mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollçaku.

Ai duke iu referuar të dhënave nga databaza policore tha se avokati Berisha edhe në ato vepra penale ku i ndjeri ka qenë viktimë, u paraqit si i dyshimtë nga avokati i palës së akuzuar.

“Mbrojtja tha se i ndjeri ka vepër penale të vjedhjes së rënde dhe vjedhjes e madje edhe vrasjes, të asgjësimit apo dëmtimit, dhe nëse i shikojmë këto edhe për vjedhje të rëndë ka qenë viktimë dhe për asgjësim apo dëmtim ka qenë viktimë, edhe për lëndim të lehtë trupor ka qenë viktimë, për vepër penale të vrasjes thuhet se i është referuar prokurorit me raport informues dhe nuk ka filluar asnjë procedurë për vrasje dhe po ashtu për dy vepra të tjera ka qenë ankues, d.m.th. 90% të rasteve që mbrojtja i paraqiti këtu viktimën si person me të kaluar kriminale, me këtë dokument plotësisht thuhet ndryshe nga ajo çka tha kolegu im”, tha avokati Kollçaku.

Pastaj Berisha listoi rastet ku i ndjeri sipas tij ka qenë në cilësinë e të dyshuarit.

“Nuk është vërtete se ka qenë vetëm viktimë, për lëndim të lehtë trupor por menjëherë në një rast tjetër me 24 shkurt 2011 është i dyshuar, është i dyshuar për dëmtim të pronës së luajtshme, sërish për lëndim trupor në korrik të vitit 2011, i dyshuar për vrasje më 27 gusht 2013”, shtoi Berisha.

Lidhur me rastin e vrasjes së vitit 2013, Kollçaku tha se ky rast vetëm i është referuar Prokurorisë ndërsa nuk ka pasur zhvillime nga ana e kësaj të fundit.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 24 maj, ku i akuzuari pritet të japë mbrojtjen e tij.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani të ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

22 vite burgim iu shqiptuan Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë, por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.