Vrasja e Mentor Zekajt, mbrojtja pretendon se nuk ka ekzistuar borxhi prej 77 mijë eurove

Kreshnik Haliti e mohoi akuzën e prokurorisë së Pejës se për shkak të borxhit kishte privuar nga jeta shokun e tij, të ndjerin Mentor Zekaj.

“Deklarohem i pafajshëm për akuzën e prokurorisë për vrasjen, ndërsa e pranoj posedimin e armbajtës ditën kritike, jo me herët” u deklarua ai sot para trupit gjykues.

Prokuroria pretendon se vrasja ka ndodhur për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurove që Kreshnik Haliti ia kishte Mentor Zekajt.

Sot ky proces gjyqësor ka filluar nga pika zero për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Lumturije Muhaxheri ka ndërruar jetë.

Në këto rrethana me këtë proces gjyqësor është duke udhëhequr gjykatësi Murat Hulaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokati Besnik Berisha, tha se në këtë gjykim do të provohet se borxhi prej 77 mijë eurove që pretendohet nga prokuroria nuk ka ekzistuar asnjëherë, ku sipas tij kjo vërtetohet edhe nga shifrat e ndryshme kontradiktore që rezultojnë nga dëshmitë e dëshmitarëve.

Avokati Berisha tha se përmes dëshmitarëve Ilir Lulaj dhe Berat Thaçi do të demantohet teoria e prokurorisë se i mbrojturi i tij atë ditë ishte i përgatitur për vrasjen e të ndjerit.

Sipas avokatit momentit kritik i ka parapritë sulmi, fyerja nga i ndjeri në drejtim të të mbrojturit të tij, e kjo sipas tij vërtetohet edhe nga provat në shkresat e lëndës, sidomos nga raporti i autopsisë.

“Parashtrime e prokurorisë rrëzohen edhe nga provat materiale sepse siç rezulton edhe nga raporti i autopsisë, po të mos kishte ndodhur sulmi ndaj të akuzuarit do të ishte e pamundur që plumbi i parë të e marr atë në supin e majtë” tha Berisha gjatë fjalës hyrëse.

Ai shtoi se do të provohet se gjithçka ka nisur me iniciativën e të ndjerit.

Ndërsa prokurorja e rastit, Lumturije Vuçetaj tha se mbetet pranë fjalës hyrëse të prokurorisë të dhënë në shqyrtimet e mëhershme, duke shtuar se pas administrimit të gjitha provave do të vërtetohet se i akuzuari është përgjegjës për veprën penale që e ngarkon aktakuza e prokurorisë.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollçaku e mbështeti fjalën e prokurores, duke shtuar se qëndron në tërësi pranë fjalës së tij hyrëse të dhënë në shqyrtimin gjyqësor të mëhershëm.

Prokurorja Vuçetaj në fillim të seancës u deklarua se për shkaqe korrektësie njofton palët për relacionin familjar që ka bashkëshorti i saj më dëshmitarin Fadil Vuçetaj.

Prokurorja shtoi se në shkresat e lëndës ka hasur në kërkesën e mbrojtjes  për përjashtim e kryetares së turpit gjykues, tani të ndjerës Lumturie Muhaxheri, në rrethanat se gjyqtarja ka qenë në fqinjësi me familjen e të ndjerit.

Prokurorja Vuçetaj tha se edhe ajo është fqinjë më familjarët e të ndjerit.

“Andaj në këtë drejtim e bëjë këtu me dije për mbrojtjen për këto rrethana, edhe pse për këto rrethana jam konsultuar edhe me kryeprokurorin, por prapë lënda më është ndarë në momentin kur jam avancuar në krime të rënda”, tha prokurorja.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokati Besnik Berisha tha se për rrethanat e prezantuara nga prokurorja, nuk parashtrojnë kërkesë për përjashtim e as vërejtje që ajo të përfaqësoje këtë rast.

“E falënderojmë për korrektësinë, por kjo çështje është në rigjykim, dëshmitari ka kaluar shumë filtra, po besojmë që prokurorja do të ushtrojë misionin e saj si me çdo dëshmitar tjetër dhe funksioni i prokurores nuk do të ndikohet nga relacioni i bashkëshortit të saj me dëshmitarin”, tha Berisha.

Për shkak të mos prezencës së disa dëshmitarëve, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar më datën 30 të këtij muaji.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani të ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

22 vite burgim iu shqiptuan Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë, por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.