Në gjykimin për vrasjen e të riut në Pejë, kërkohet të ridëshmoj gruaja e të vrarit

Një dëshmitar ka dal sot para gjykatës së Pejës për të dhënë versionin e tij për momentet tragjike të 6 marsit 2017, ku nga plumbat e shkrepur u privua nga jeta, Mentor Zekaj.

Për vrasjen e Mentor Zekaj po akuzohet Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.

Dëshmitari Fadil Vuçetaj para trupi gjykues, deklaroi se qëndron pranë deklaratave të tij të mëhershme, duke shtuar se nuk i kujtohet shumë nga rasti.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Lumturije Vuçetaj, dëshmitari deklaroi se të pandehurin nuk e njeh personalisht por vetëm si figurë, ndërsa me të ndjerin ka pas raporte të mira pasi kanë qenë fqinj.

“Ka ndodh një vrasje atë ditë, e di që njeri është gjetë i vdekur afër shtëpisë time”, tha dëshmitari duke u përgjigj në pyetjet e prokurores.

Kjo pyetje e prokurores, u kundërshtua nga avokati Besnik Berisha, me arsyetimin se dëshmitari nuk u deklarua se a ka ndodhur një vrasje atë ditë.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet si kishte kuptuar për vrasjen.

Meqenëse dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet dita kritike, atij nga mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollqaku iu lexuan deklaratat e tij të mëhershme.

“Siç thash, aty fillimisht kam dëgjuar krismat që mu duken krisma fishekzjarrësh. Nuk u kam kushtuar vëmendjen, kam vazhduar për pak, kam dëgjuar një zë si të shtjerrur duke thirr emrin tim, o Fadil”, ishte pjesa e deklaratës që iu lexua dëshmitarit, pas së cilës deklaratë dëshmitari tha se qendon në plotëni.

“Mu dok që ishte Mentori, mu dok në gjendje të keqe, dhe kam hy brenda”, tha dëshmitari.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të palës së akuzuar, avokatit Besnik Berisha, deklaroi se ditën kritike nuk e kishte parë të akuzuarin Haliti as para e as pas ngjarjes.

“Ju deklaruat se Mentori është gjetë afër shtëpisë, a ka pas vrasje a jo unë nuk e di, ju duhet të vërtetoni këtë, a i bie që ju nuk e dini që ka ndodhë vrasja”, pyeti Berisha dëshmitarin.

“Po e saktë, nuk e di”, u përgjigj dëshmitari duke shtuar se nuk ka njohuri pse ka ndodhur rasti.

Kryetari i trupit gjykues, Murat Hulaj, pyeti dëshmitarin se a ishte interesuar i njëjti të mësoj se cila ishte arsyeja që atij i ishin dëmtuar xhamat e veturës të parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.

“Mu ma ka marr mendja se ka pas përleshje dhe andaj është thyer xhami”, tha dëshmitari.

Ai tha se me vonë e ka kuptuar që problemi kishte qenë mes Kreshnik Halitit dhe Mentor Zekajt.

Në anën tjetër, bashkëshortja e të ndjerit Mentor Zekaj, Mirjeta Zekaj, refuzoi përsëri që të deklarohet lidhur me këtë proces gjyqësor, pasi ajo ka deklaruar për këtë rast 4 herë, dhe përsëritja e deklaratës po i shkakton probleme shëndetësore.

Ajo tha se qëndron pranë deklaratave të saj të mëhershme dhe më nuk është në gjendje të deklaroj për këtë proces gjyqësor.

“Unë po ndij torturë për veten pastaj edhe për disa kohë”, tha dëshmitarja.

Në këto rrethana, prokurorja Vuçetaj i propozoi gjykatës që deklarata e dëshmitares Zekaj, të lexohet pas parasysh ajo edhe në seancën e kaluar ka deklaruar se nuk mund të flasë më shumë për shkak të shëndetit të saj.

Ky propozim i prokurores u përkrah nga avokati i palës së dëmtuar, dhe baba i të ndjerit, Bajram Zekaj.

Por propozimi i prokurores u kundërshtua nga avokati Besnik Berisha, i cili tha se Kreshnik Haliti e gëzon të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe nuk mund të këtë gjykim të drejtë pa zbatim të dispozitave ligjore lidhur me procedimin e dëshmitarëve.

“Kreshnik Haliti e gëzon te drejtën e një gjykimi të drejtë, dhe nuk mund të këtë gjykim të drejtë nëse nuk zbatohet neni 311 par.3, e zonjës t’i mundësohet deklarimi kurdo që kjo e vlerëson që kjo është e gatshme ta bëjë, në të kundërtën kjo do të ishte cenim i parimit të barazisë dhe i parimit të drejtpërdrejt pasi në rastin konkret 2/3 e trupit gjykues janë të rinj”, tha Berisha.

Trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Murat Hulaj, refuzoi propozimin e prokurores që deklaratat e Mirjeta Zekaj të lexohen, me arsyetimin se dëshmitarja ka për obligim ligjor që të dëshmojë pas parasysh që në këtë rigjykim, është ndërruar trupi gjykues dhe prokurorja.

Përsëri dëshmitarja Zekaj refuzoi të deklarohet, ndërsa trupi gjykues i dha mundësinë të deklarohet në një seancë tjetër.

Seanca e radhës do të mbahet më 16 nëntor.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani të ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

22 vite burgim iu shqiptuan Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë, por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.