Gruaja e viktimës: Mentori shkoi për t’i marrë paratë që ia kishte borxh i akuzuari

Mirjeta Zekaj ka dalë sot para Gjykatës së Pejës për të treguar versionin e saj për momentet tragjike të 6 marsit 2017, ku nga plumbat e shkrepur u privua nga jeta burri i saj, Mentor Zekaj.

Për vrasjen e Mentor Zekajt po akuzohet Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.

Prokuroria po pretendon se vrasja ka ndodhur për shkak të një borxhi që i akuzuari ia kishte viktimës.

Mirjeta Zekaj tha se i akuzuari ka qenë shok i burrit të saj dhe se të akuzuarit i ishin dhënë të hollat nga ana e burrit të saj, të ndjerit Mentor Zekaj.

“Po, ky i ka kërku nga burri se i duhen ato të holla, se e kanë kërcënuar me ja mbytë familjen, nëse nuk mundet me i siguru ato të holla”, tha ajo duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores Lumturije Vuçetaj se cila ishte arsyeja që të akuzuarit i ishin dhënë të hollat.

Zekaj tha se i ndjeri e ka pasur të grumbulluar shumën prej 86 mijë eurove, pasi familja e tyre ishin në proces të pagesës së një shtëpie që e kishin blerë, duke shtuar se i akuzuari ka qenë në dijeni për këtë fakt.

“A e dini shumen që burri juaj i ka dhënë Kreshnik Halitit?”, ishte pyetja e prokurores Lumturije Vuçetaj.

“Po mundohem me kujtu se ka kalu kohë e gjatë, e di që atë shumë e ka kërku, na jemi një familje që rolet i kemi të ndara, burri është burrë, gruaja – gru, unë nuk kam nejtë aty për me ditë sa ia ka dhënë”, u përgjigj dëshmitarja.

Më pas dëshmitarja deklaroi se të akuzuarit i është dhënë shuma prej 86 mijë eurove dhe se për këtë është përpiluar një kontratë mes të ndjerit dhe të akuzuarit Haliti.

Ajo tha se ka qenë prezente në shtëpi në momentin e dorëzimit të të hollave.

Zekaj tha se letra ku ishte e shënuar shuma e borxhit i ishte dhënë asaj nga Mentori, ndërsa një ditë para ditës kritike e njëjta i ishte kërkuar asaj nga i ndjeri.

Ajo tha se ditën kritike burri i saj kishte shkuar ta takonte të akuzuarin, pasi  ky i fundit kishte  për t’i kthyer borxhin.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Vuçetaj, dëshmitarja deklaroi se afati për kthimin e të hollave ka qenë në muajin mars, me arsyetim se në atë muaj ka qenë edhe afati për pagesën e shtëpisë që ata kishin blerë.

Mirjeta Zekaj tha se i ndjeri i ka pasur dy telefona me numra të dy kompanive telefonike, dhe se bisedat mes burrit të saj dhe Kreshnik Halitit kanë qenë në njërin nga telefonat por se te ata mesazhe nuk ka mundur t’i lexojë ajo.

“Mentori i ka pasë dy numra në posedim, Ipko dhe Vala. Ai ka komunikuar me dy numrat, telefoni që është pshtu, e që e kam pasë unë, nuk e kam ditë fjalëkalimin me çel, kur e kam çu te mjeshtri janë hupë të dhënat, se aty ka pasë mesazhe që ka komuniku Mentori me këtë faqezi”, tha ajo.

Mbrojtësi i Halitit, avokati Besnik Berisha e ballafaqoi këtë deklarim të dëshmitares me deklarimin e saj të mëhershëm në procesin e kaluar gjyqësor.

“Jo, nuk e përmenda, arsyeja është se pasi e kam kontrolluar telefonin e Mentorit kam vërejtur se i njëjti nga SMS e ka njoftuar se ka marrë kredi, kurse nuk e kam dëgjuar gjatë bisedës telefonike”, ishte pjesa e deklaratës së dëshmitares e lexuar nga avokati Berisha.

“Pse ju ne gjykatë keni deklaruar se e keni pa telefonin e Mentorit, keni pa SMS ndërsa sot deklaruat se ne telefonin e Mentorit keni pasë zero qasje? Cila është e vërteta?“, ishte e pyetja e avokatit.

Dëshmitarja tha se nuk ka deklaruar kështu dhe se nuk e di pse është shënuar në këtë mënyrë.

Prokurorja Vuçetaj pati vërejtje në këtë ballafaqim të avokatit, pasi sipas saj i njëjti po e vë në lajthim dëshmitaren lidhur me periudhën kohore që ajo i është referuar.

Dëshmitarja Zekaj pasi u pyet edhe nga trupi gjykues tha se ajo ka pasur qasje në telefonin e burrit në kuptimin që i ka lexuar mesazhet vetëm sa ai ka qenë gjallë.

Pastaj dëshmitarja duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha tha se kërkesa për të holla ka qenë 86 mijë, porse ajo nuk e di sa është shuma që i janë dhënë të akuzuarit.

“Po normal qe e kam pa tu i dhënë të hollat, por se nuk e di sa”, shtoi pastaj dëshmitarja.

Avokati Berisha tha se për të njëjtën ngjarje dëshmitarja po deklaron ndryshe, andaj edhe kërkoi kopjen e procesverbalit të seancës ashtu që t’i mundësohet ballafaqimi.

“Me respekt kërkojmë kopjen e sesionit të paradites ku ajo ka thënë se nuk e ka parë Mentorin duke ia dhënë paratë, ndërsa në sesionin e pasdites me instruksione të vjehrrit tha se po e kam parë, më vonë tha se kam qenë në shtëpi po se kam këqyrë, prandaj meqenëse element qenësor për veprën penale që akuzohet Kreshniku është dobia pasurore, kjo gjykatë duhet ta ndriçojë të vërteten e cila dallon skajshmërisht me rrëfimin e dëshmitares”, tha avokati Berisha.

Trupi gjykues me kryetar gjykatësin Murat Hulaj tha se nuk e ka dëgjuar babanë e të ndjerit t’i japë udhëzime se si të përgjigjet dëshmitares.

Avokati Berisha tha se ai dhe prokurorja e ka dëgjuar.

Prokurorja Vuçetaj e mohoi këtë gjë.

“Ky flet tërë kohen se është prind, por nuk e dëgjova këtë pjesë”, tha prokurorja.

Seanca gjyqësore u ndërpre në përfundim të orarit pasi i akuzuari deklaroi se për shkaqe shëndetësore nuk mund të vazhdojë me tutje të qëndrojë në sallë.

Atij iu ofrua tretmani mjekësor dhe seanca u ndërpre dhe u shty për më 14 dhjetor.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë Mentor Zekajn dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

22 vite burgim iu shqiptuan Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë, por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.