Avdullah Hoti - Foto: KALLXO.com

Avdullah Hoti: Dyshimet Ndaj Rikalos Bartin Përgjegjësi për Haradinajn

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se dyshimet që janë ngritur ndaj ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, për torturë ndaj civilëve shqiptarë gjatë viteve 1990, bartin përgjegjësi për kryeministrin Haradinaj.

Hoti kërkoi nga Haradinaj që “menjëherë ta shkarkojë ministrin Rikalo”.

Në seancën në të cilën Haradinaj ka dalë në interpelancë për t’u përgjigjur në këto dyshime, Hoti tha se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të udhëhiqen nga “njerëz me duar të pastra, njerëz që nuk kanë rënë ndesh me ligjin dhe aq më pak me njerëz që kanë ushtruar torturë ndaj civilëve”.

“Dyshimet meritojnë trajtim adfekuat ligjor. Dyshimet bartin përgjegjësi politike për këtë ministër dhe Kryeministrin”, tha Hoti.

“Ne e respektojmë parimin e prezumimit të pafajësisë derisa nuk vërtetohet vepra, por në rastin konkret populli i Kosovës është shumë i ndjeshëm pasi vetë ka vuajtur nga këto akte të dhunës”, shtoi Avdullah Hoti.

“Fakti që kryeministri nuk ka marrë ende veprim për këtë rast reflekton pafuqinë e tij si rezultat i varësisë nga subjekti prej nga vjen ky ministër”, tha shefi i deputetëve të LDK-së.

Interpelanca është thirrur nga grupi parlamentar i LDK-së.