Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Arrestime nën Dyshimet për Terrorizëm

Sipas komunikatës së policisë, aksioni në të cilin u arrestuan shtatë persona u zhvilluan në rajonet e Mitrovicës, Ferizajt dhe Prishtinës.

“Me datë 04.11.2016, Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, e mbështetur edhe nga njësitë tjera të specializuara të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë një operacion në rajone të ndryshme të Kosovës (Mitrovicë, Ferizaj, Prishtinë) për zbatimin e urdhër kontrolleve të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë,” thuhet në komunikatën e policisë.

Policia në komunikatë jep inicialet e të arrestuarve.

“Gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në Stacionin e Policisë shtatë (7) persona (V.I, L.M, B.B, B.I, K.P, L.V dhe L.M), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në vepra penale nga Kapitulli XIV i Kodit Penal, përkatësisht veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës,” sqaron komunikata.

Policia sqaron se ka sekuestruar gjësende që do të përdoren si prova materiale, pa i saktësuar ato.

“Gjatë këtij operacioni në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar pajisje dhe gjësende tjera relevante me rastin,” shpjegohet në komunikatë.

Të arrestuarve Prokuroria Speciale e Kosovës ua ka caktuar ndalimin prej 48 orësh.

KALLXO.com edhe më herët ka shkruar për arrestime, gjykime e dënime të atyre që dyshohen ose akuzohen për vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit.

Këto shkrime mund t’i lexoni këtu.