Isa Mustafa dhe Kadri Veseli | Foto nga Kuvendi i Kosovës

Analistët: Demarkacioni në Kuvend ‘Kile’ e Mustafës për Veselin

Zhvillimet e djeshme politike në vend, e kanë “detyruar” kryeministrin Mustafa që të ngutet sa i përket çështjes së demarkacionit.

Ai nga Anglia, ku po qëndron për vizitë zyrtare, ka dërguar dje një komunikatë për medie në të cilën ka lajmëruar se të hënën do të dërgohet në Kuvend marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Në një prononcim për KALLXO.com, analisti Imer Mushkolaj tha se zhvillimet e fundit politike po dëshmojnë një “luftë” mes Mustafës dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

“Mustafa me procedimin e demarkacionin në Kuvend, po do me e qit para aktit të kryer Veselin me idenë se ky i fundit nuk po dëshiron me e kry dhe me e kalu demarkacionin dhe me e bë përgjegjës për mosliberalizim të vizave”, tha Mushkolaj për KALLXO.com.

Ai paralajmërimin e Mustafës që marrëveshja e demarkacionit t’i shkojë Kuvendit e konsideroi hakmarrje të Mustafës për mocionin e mosbesimit.

“Pra, është një hakmarrje e Mustafës për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. E na e dimë që mocioni është nismë e opozitës, por nën mbikëqyrjen e Veselit, e një mocion i tillë nuk mundet me kalu pa votat e PDK-së”, tha Mushkolaj.

Sipas tij nëse para disa muajve, PDK-ja ka qenë e gatshme ta votojë demarkacionin, ata nuk e kanë këtë gatishmëri tash.

“Qëllimi i PDK-së është që të shkojë në zgjedhje sa më shpejt”, tha Mushkolaj, duke shtuar se dështimin për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit, Mustafa do ta përdorë duke thënë se ne ishim të gatshëm, por nuk patëm përkrahjen e partnerit.

Ndërsa analisti tjetër Belul Beqaj zgjedhjet i sheh të pashmangshme, kaloi apo nuk kaloi demarkacioni.

Sipas tij 61 vota do të bëhen dhe mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë do të ketë sukses.

Beqaj thotë se vendimi për ta dërguar në Kuvend marrëveshjen e demarkacionit është tentim për të ia lënë “kile” PDK-së.

“Vendimi për me të procedu në Kuvend, është një defansivë e Mustafës, qysh thuhet në popull me e lënë kilen, se kush e ka këtu fajin që po shkohet në zgjedhje. Ai po dëshiron të përfitojë edhe nga pozicioni që tjetërkush po e prish marrëveshjen dhe të përfitojë në zgjedhje, por ai po harron që vetë e kishe prishur marrëveshjen që e kishte pasur me VLAN-in, kur kishte nënshkruar marrëveshje”, tha Beqaj për KALLXO.com

Partitë opozitare gjatë ditës së djeshme dorëzuan në Kuvend nismën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Një nismë e tillë ishte votuar edhe prej 4 deputetëve të pozitës që janë pjesë e grupit parlamentar të PDK-së.

http://kallxo.com/pdk-e-shkel-marreveshjen-e-koalicionit-ldk-ne/

Gjatë ditës së djeshme me ploë zhvillime, përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së kanë dhënë disa herë deklarata që nuk janë përputhur sa i përket çështjes së zgjedhjeve.

http://kallxo.com/fjalet-e-kunderta-te-partnereve-pdk-ldk/

Qeveria e kishte dërguar në shtator të vitit të kaluar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend, por e kishte tërhequr mbrapa, ende pa e nxjerrë në votim, kur kishte vlerësuar se nuk i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/