Pamje nga seanca e gjykimit për narkotik - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari: Nga Paraburgimi Mësova Shumë, Nuk Kam Konsumuar më Marihuanë

Naser Gashi e Fatlum Gashi po përballen me drejtësinë, pasi që sipas Prokurorisë atyre u janë gjetur 1359.4 gramë narkotikë të llojit marihuanë.

Sipas aktakuzës, fillimisht gjatë një kontrolli në veturë Fatlum Gashit i janë gjetur 1.2 gram marihuanë, e Naserit 4.1 gramë.

Nën ulësen e vozitësit, sipas aktakuzës, është gjetur edhe një qese me peshë prej 55.6 gramë.

Rrjedhimisht, pas këtij kontrolli, zyrtarët policorë kanë bastisur edhe shtëpinë e Naserit, ku në tavanin e shtëpisë kanë gjetur edhe 1298.5 gramë të narkotikut.

Sipas Prokurorisë, kjo sasi e narkotikut i ishte dhënë Naserit nga Fatlumi, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes.

Por, meqenëse në gjykatore ishte prezent vetëm Naseri, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra veçoi procedurën ndaj tij dhe lëshoi urdhëresë për verifikimin e vendbanimit.

Në seancë, gjatë fazës së marrjes në pyetje, prokurorja ballafaqoi të akuzuarin me disa SMS të shkëmbyer mes tij e të akuzuarit Fatlum, përmes të cilëve donte të dëshmonte se të akuzuarit përveç posedimit të narkotikëve edhe kanë shitur atë.

“Mos ta nin bir se pasha ropt sen me veti skom veç kah don mi kry i kryj me lek lebesh ska mo”, ishte njëri nga SMS-ët që prokurorja e rastit Merrushe Llugiqi pretendon se Naseri ia ka dërguar Fatlumit.

Në pyetjen e prokurores se çfarë ka dashur të thotë me këtë, i akuzuari u përgjigj: “Me këtë përgjigje kam dashtë me iu përgjigj Fatlumit se me vete nuk kam asgjë dhe siç tregova edhe më herët, dy herë kur e kam marrë sasinë e substancës për konsumim personal kanë qenë edhe dy shokë të tij, kam deshtë me ia sqaru që veç kur të më thua ti me marrë me pi ose me ta pru ty kur të nevojitet”.

Më tej, SMS-ët e lexuar nga prokurorja kishin përmbajtjen si “Allahile a ta pagujtën prom qat kese?”.

Sipas prokurores ky SMS i ishte dërguar Naserit nga Fatlumi, ndërsa Naseri ishte përgjigjur me “Aj njojtë si për ni kyçje, si për ni kese u duftë mu qu ama pa lek m erdh inat”.

Kronologjia e SMS-ëve që u lexuan vazhdoi me mesazhin e Fatlumit dërguar tek Naseri me fjalët: “Ishalla tjera herë vijnë me pare me kry te na”, e Naseri ia kishte kthyer: “Me pare po”. “Ami lekt, i merr”, ishte SMS i fundit i lexuar nga prokurorja, SMS ky i dërguar nga Fatlumi.

Pas këtyre SMS-ve, i akuzuari Naser Gashi deklaroi se asnjëherë nuk e ka shitur, por e ka pirë për vete dhe se nuk i kujtohet se ka shkruar SMS të tillë.

Në fund të seancës, u tha fjala përfundimtare, ku prokurorja Llugiqi kërkoi dënimin e Naserit, derisa avokati i tij, Ahmet Gjinovci, tha se teza e akuzës nuk është vërtetuar, meqenëse nuk ka asnjë provë se ka shitur apo shpërndarë te ndonjë person, ndërkaq posedimin e narkotikut e ka pranuar.

E fjalën e fundit e pati vet i akuzuari, i cili tha se nga paraburgimi ka mësuar shumë.

“Nga mbajtja e paraburgimit kam mësuar shumë gjëra pozitive dhe jam munduar me çdo kusht të largohem nga këto punë dhe kam mësuar se vetëm me punë mund të drejtohem në jetën time. Gjithashtu i premtoj Gjykatës se veprime të tilla asnjëherë në të ardhmen nuk do të përsëriten”, deklaroi Gashi.

Madje, Gashi paraprakisht deklaroi se konsumimin e marihuanës e ka filluar nga stresi rreth 10 vite më parë, por të njëjtën nuk e konsumon më që nga dalja nga paraburgimi.

“Sot nuk jam përdorues i kësaj substance. Pasi që kam qëndruar në paraburgim 4 muaj, pash shumë shokë që mbanin dënimin për këso veprash, e kuptova që jam gabim dhe se duhet të marrë një rrugë tjetër”, tha Gashi, duke shtuar se ka kuptuar se puna është e vetmja rrugë e duhur.

Sipas aktakuzës, rasti për të cilin po akuzohen ka ndodhur më 16 mars 2017, rreth orës 17:40 në rrugën “Holgen Petersen” në hyrje të QKUK- së, kur edhe pjesëtarët e Policisë kanë ndaluar veturën që po drejtohej nga Fatlum Gashi, me Naser Gashin në ulësen e pasagjerit.

Në seancën e radhës do të bëhet shpallja e aktgjykimit.