Dënohet me burg dhe me gjobë i akuzuari për heroinë dhe kafeinë

Gjykata e Ferizajt e ka dënuar me katër vjet burg dhe 10,000 euro gjobë të akuzuarin R.M., i akuzuar për veprën penale të kryer në vazhdim blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa utorizuar e narkotikeve, substance psikotrope dhe analoge.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjyqtarja Kadrije Goga-Lubishtani pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor.

I pandehuri R.M. akuzohet se nga muaji janar 2020 deri më 9 tetor 2020, në territorin e komunës së Ferizajt dhe në fshatin Pozhoran – komuna e Vitisë, në vazhdimësi pa autorizim ka shpërndarë, shitur dhe transportuar substancë apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që gjatë zbatimit të masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit është konstatuar se i njëjti për një periudhe të gjate kohore, ka furnizuar me substance narkotike të llojit heroinë të pandehurit G.H., Xh.F., dhe B.I.

Ndërsa më 9.10.2020 pas marrëveshjes paraprake përmes telefonit me të pandehurin B.R. lidhur me shitblerjen e substancës narkotike, i njëjti nga njësia e DHTN-së, kapet në flagrance në dalje të fshatit Pozhoran dhe gjatë kontrollit në veturën e tij në pjesën e sipërme të timonit është gjetur dhe sekuestruar një paketim me shirit ngjitës me ngjyrë të zezë e mbushur me substancë narkotike të llojit heroinë në sasi prej 71 gramë dhe një peshore digjitale.

Kurse me rastin e bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurit janë gjetur dhe sekuestruar dy paketime me substancë narkotike të llojit heroinë me peshë 635.1 gramë dhe një paketim me peshë 314.2 gramë të cilat i njëjti i kishte poseduar me qëllim të shpërndarjes, shitjes, ose ofrimit për shitje.

Ndërsa pas ekzaminimit ka rezultuar se i njëjti ka poseduar në total 292.5 gramë substancë narkotike të llojit heroinë, ndërsa pjesa tjetër prej 595.17 gramë përmban acetum minofen dhe kafeinë.

Po ashtu Gjykata ka urdhëruar të konfiskohet në mënyrë të përhershme automjeti Golf VII, i cili i dorëzohet Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar; konfiskohet në mënyrë të përhershme substanca narkotike e llojit heroinë në sasi prej 71 gramë dhe dy paketime me substancë heroinë me peshë 635.1 gramë, një paketim e substancës narkotike e llojit heroinë me peshë 314 gramë si dhe konfiskohet shuma e të hollave prej dyqind e njëzetepesë euro e njëzetepesë centë, dy telefona të markës Iphon 5X dhe Iphone 6, dy telefona të thjeshtë Alcatel dhe një peshore digjitale.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës së Ferizajt.