Gjakovë – I akuzuari për drogë arrin marrëveshje me Prokurorinë 

 

Arbër Ahmeti, i akuzuar për blerje e shitje të drogës, kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë e Gjakovës, mbi pranimin e fajësisë.

Sot, pranë gjykatës së Gjakovës, kjo gjë u bë e ditur nga prokurori dhe avokatja e të akuzuarit.

Në sallë të gjykimit prokurori i çështjes Ali Uka, kërkoj nga gjykata që marrëveshja e arritur të pranohet.

Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Arbër Ahmeti, avokatja Feride Xani deklaroi se marrëveshja ishte arritur në mënyrë të vullnetshme e pa presion.

Mirëpo, paraprakisht i akuzuari Arbër Ahmeti shprehu keqardhje për veprën që kishte kryer duke thënë që e njëjta nuk do të përsëritet.

Ndërkaq gjyqtari Nikollë Komani, duke pranuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, caktoj ditën e hënë për shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, Arbër Ahmetit i janë gjetur 11 qese me peshë prej 4.46 gram kokainë dhe një paketim tjetër i mbushur me marihuanë me peshë prej 418.04 gram.

Në aktakuzë thuhet se kjo sasi e drogës është gjetur gjatë një kontrolli nga policia në muajin nëntor të vitit të kaluar.