U zhvendosën pasi iu dogj shtëpia, familja nga Skenderaj ankohet se KEDS-i nuk po ia lëshon rrymën

Para dy ditësh, Naser Gashit nga fshati Vojnik i Skenderajt i është djegur kati i parë i shtëpisë.

Dyshimet e para janë se zjarri u shkaktua nga energjia elektrike.

Gashi me gruan dhe tre fëmijët është vendosur përkohësisht në një shtëpi – odë, e cila është në pronësi të vëllait të tij.

Ai në një prononcim për KALLXO.com thotë se që kur janë vendosur aty, janë pa rrymë.

“Shtëpia më është djegur pardje rreth orës 15:00. Nuk jam kanë unë aty, veç gruaja në oborr edhe djali tetëvjeçar mrena tu lujtë. U nal disa herë rryma, ka ardhë me tension të lartë edhe në fund është djegur kati i parë. Ka dalë edhe ai jashtë si e ka pa tu kërsit. Kanë ardhë zjarrfikësit, Policia, të Komunës e krejt. Djegia dyshojmë se është bërë pasi një kamion ka kalu edhe janë prek telat mes vete. Si shkaktar po thonë që një kamion kah ka kalu i ka prekë telat. Në odën e vëllait jam vendos se ai nuk jeton këtu”, thotë ai.

Sipas tij, ndonëse shkoi në KEDS, nuk i është bërë ende asnjë zgjidhje.

“Komuna ka qenë në vendngjarje, një person ka qenë dhe ata më thanë që nuk mundemi me rregullu asgjë veç më thanë kemi me bisedu edhe me kryetarin. Komuna ka qenë edhe atë natë e ka fotografu shtëpinë se qysh është bë por nuk më thanë asgjë. Veç shko në KEDS mos po munden me të bo hall për drita. Ata [KEDS] po thonë që ne jemi në dijeni që rryma është djegur por nuk kemi mundësi me ju ble kabllo, duhet m’e ndërru sahatin që me i dhënë shtëpisë rrymë”, thotë Gashi.

Sipas tij, Komuna e Skenderajt i ka ofruar që t’i vendosin përkohësisht në një banesë por për disa arsye nuk ka pranuar.

Në anën tjetër, nga KEDS-i kanë thënë për KALLXO.com se konsumatori, në këtë rast Naser Gashi, ende nuk e ka përgatitur instalimin e brendshëm. Sipas tyre, kur të përfundojë kjo procedurë, do t’ia kyçin.

“KEDS ka qenë në vendin e ngjarjes dhe e ka shqyrtuar ketë rast. Konsumatori nuk e ka përgatitur ende instalimin e brendshëm, prandaj kyçja nuk mund të jetë e sigurt. Me ta përgatitur ne jemi te gatshëm ta kyçim, çka ia kemi bërë të ditur edhe atij”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komunë të Skenderajt, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.