Foto-ilustrim

Mitrovicë, shtyhet gjykimi i policit dhe stomatologut për 8.6 kilogramë drogë

Seanca e shqyrtimi gjyqësor kundër stomatologut dhe policit të dyshuar për drogë ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Kjo seancë dështoi të mbahet për shkak se i akuzuari Valon Malaj kishte probleme shëndetësore me këmbën.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Shemsedin Gecin, Valon Malajn dhe Adnan Gerxhaliun se së bashku me shtetasin shqiptar E.Sh. pa autorizim kanë transportuar substanca narkotike marihuanë.

Të akuzuarit sipas akuzës këtë e kanë bërë me qëllim të shitjes.

Tre të lartcekurit dhe shtetasi i Shqipërisë ishin takuar në “Time Caffe“, ish-kafeneja e quajtur “Te Oki“ në Skenderaj ku kishin arritur marrëveshje për transport.

Më pas i pandehuri Shemsedin Geci me veturën e tipit “Golf 4“në shoqëri të të pandehurit Valon Malaj ishin nisur për në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa rrugës nga Skenderaji deri në Mitrovicë i kishte percjellë shtetasi shqiptar E.Sh. me automjetin e tipit “ Jaguar “ pronë e të pandehurit Valon Malaj.

Në Mitrovicë ishin takuar më të pandehurin tjetër Adnan Gerxhaliu afër ETC, i cili me veturen e tipit “Golf 2“ i kishte përcjellë për në Lagjen e Boshnjakëve dy veturat e lartcekura.

Me të mbërritur në rrugën “ Osllobogjenja “ vetura Golf 4 të cilën e voziste Shemsedin Geci ishte ndalur nga policia, ndërsa me rastin e kontrollit në bagazhin e automjetit janë gjetur dhe sekuestruar dhjetë paketime me marihuanë në peshë 8.606 gramë, ndërsa nga i pandehuri Valon Malaj ishin konfiskuar para në vlerë prej 2.215 euro.

Më këtë në bashkëkryerje me shtetasin nga Shqipëria akuzohen se kanë kryer veprën penale – blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.

Ndërsa seanca e sotme u shty për shkaqe shëndetësore të të akuzuarit Valon Malaj.

Shtyrjen e kësaj seance që në fillimin e saj e kishte kërkuar mbrojtësi i Valon Malajt, avokati Vehbi Beqiri.

Beqiri trupit gjykues i ka shpjeguar se i akuzuari ka probleme shëndetësore më këmben dhe që sipas tij nuk është në gjendje për të vazhduar gjykimin, duke i prezantuar gjykatës edhe një dokument mjekësor të ortopedit.

Përkundër kësaj trupi gjykues mori aktvendim me anë të së cilit vazhdoi seanca e shqyrtimit gjyqësor duke theksuar se gjykata do të ketë parasysh në vazhdimësi që në asnjë mënyrë të mos e mundojë në aspektin fizik të  pandehurin, duke konstatuar se ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Më pas avokati Beqiri kishte kërkuar fjalën nga trupi gjykues ku kishte thënë se meqenëse kërkesa e tij e mbështetur edhe në një akt shëndetësor të specialistit të ortopedisë prej nga shihej se i mbrojturi i tij duhet të këtë trajtim – regjim shtrati nuk u mor parasysh ai do të kërkonte përjashtimin e trupit gjykues.

“Konsideroj se edhe pse e arsyetova se edhe ne si avokatë dhe të gjithë të pandehurit kanë bërë përpjekje që kjo seancë të vazhdoj, aktvendimi i trupit gjykues për të vazhduar në këto kushte mua dhe klientit tim na vendos në një pozitë të pabarabartë në këtë seancë, andaj kërkoj që të përjashtohet kryetari i trupit gjykues dhe trupi gjykues i cili këtë gjendje faktike nuk e vlerëson sipas të njëjtë dhe aktit shëndetësor por jep vlerësime të cilat nuk janë të fushës së trupit gjykues “, ka thënë Beqiri.

Më pas u ndërpre seanca për disa minuta për t’u vendosur në lidhje me kërkesën.

Ndërsa më pas në gjykatë u ftua mjeku Avni Xhafa ortoped për të konstatuar drejpërdrejt gjendjen e të pandehurit.

Si përfundim Xhafa konstatoi se i pandehuri Valon Malaj duhej të pushonte së paku një javë.

“Mendimi im është që i njëjti ka nevojë për pushim më së paku edhe një javë duke përdorur terapinë e përshkruar dhe në seancën tjetër të prezantojë MRI –në e gjurit dhe rëntgenin e gjurit ditën e lëndimit“, tha Xhafa.

Pas këtij konstatimi trupi gjykues me aktvendim e ka shtyrë seancën e shqyrtimit gjyqësor.

Seanca e radhës në këtë çështje penale do të mbahet më 15 dhe 17 prill.