Luftëtarë të grupit ISIS - Foto: Ilustrim

1 Vit Burgim për Terrorizëm

I akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist në tentativë, Mentor Zejnullahu është dënuar me një vit burgim efektiv nga Gjykata e Gjilanit.

Zejnullahu në seancën e dytë gjyqësore e kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilen akuzohej.

“E pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem. Pranimin e kam bërë vullnetarisht dhe jam penduar që kam kryer këtë vepër,” kishte thënë të hënën para gjykatës Mentor Zejnullahu.

Gjykata ka vlerësuar si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë dhe për këtë ka dënuar me 1 vit burgim efektiv të akuzuarin.

Në seancën fillestare, Zejnullahu kishte thënë se nuk e dinte që ISIS është grup terrorist.

Sipas Prokurorisë Speciale, Mentor Zejnullahu më 29 gusht të vitit të kaluar ishte nisur drejt Tiranës me qëllimin për të shkuar në Turqi e më pas në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it, por udhëtimi i tij kishte përfunduar në Aeroportin “Nënë Tereza” të kryeqytetit shqiptar, pasi Policia e Shqipërisë nuk e kishte lejuar të udhëtonte.

Aktakuza sqaron se në deklarimin e tij në prokurori Zejnullahu kishte thënë se para një viti kishte nisur t’i kryejë ritet fetare së pari në xhaminë e fshatit Tërpezë të Vitisë, e pastaj edhe në atë “El Kudus” të Gjilanit, ku ndiqte ligjëratat e imamit të akuzuar dhe tashmë të dënuar për rekrutim në terrorizëm Zeqirja Qazimi.

Qazimi u dënua me dhjetë vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 maj.

http://kallxo.com/denohet-zeqirja-qazimi/

Në deklaratën në prokurori Mentor Zejnullahu kishte thënë se kishte tentuar të nisej drejt Stambollit pasi kishte nxjerrë biletën e aeroplanit në Tiranë me vetëm 177 euro, të cilat i kishte marrë borxh.

Ky është rasti i katërt që në Gjykatën Themelore në Gjilan po trajtohen rastet e terrorizmit dhe KALLXO.com ka përcjellë vazhdimisht zhvillimin e seancave.

Në mars, Gjykata Themelore në Gjilan kishte dënuar me 3 vjet burg Florent Bajramin për pjesëmarrje në luftë në Siri.

http://kallxo.com/tre-vjet-burg-per-pjesetarin-e-isis-it/

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për gjykimin e Mentor Zejnullahut.