Qentë endacakë - Foto: Avni Zogiani/facebook

Zogiani Kërkon Qasje Nacionale për Qentë Endacakë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës, Avni Zogiani, ka trajtuar në një postim në profilin e tij në “Facebook” një problem me të cilin po përballet komuna e tij por i gjithë vendi – qentë endacakë.

Lidhur me këtë, ai ka thënë se deri më sot institucionet e Kosovës nuk e kanë kuptuar se një problem i tillë nuk mund të zgjidhet në konturat komunale, por kërkon një qasje nacionale, së paku.

“Qasja e deritashme me krijimin e strehimoreve ka ndihmuar përkohësisht problemin dhe kjo qasje duhet të vazhdojë, por jo thjesht në nivel lokal, por me një përqasje rajonale ashtu sic po propozon të bëjë Komuna e Prishtinës”, ka shkruar Zogiani.

Gjithsesi, ka thënë ai, kjo nuk është zgjidhja definitive e problemit, por është një zbutje momentale e tij.

Zogiani vlerëson se edhe nëse ndodh një spastrim definitiv i qenëve endacakë në Kosovë të tillë mund të vijnë nga vendet fqinje.

Si zgjidhje, ai e sheh “vaksinimin e efektshëm”.

Kandidati i Vetëvendosjes premton se Komuna e Fushë-Kosovës pas 22 tetorit do t’i bashkohet iniciativës së Komunës së Prishtinës për ta trajtuar këtë problem si problem rajonal, e mundësisht edhe problem nacional.

“Një strehimore rajonale, ide kjo e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, duhet të krijohet sa më shpejt në mënyrë që më pastaj të ngritet strategjia nacionale për ta trajtuar problemin me një zgjidhje definitive”, ka thënë Avni Zogiani.

Ai ka kujtuar se një fëmijë i komunitetit rom e ka pësuar nga sulmi i qenve endacakë në qytetin e Fushë-Kosovës.

Dje, KALLXO.com raportoi për një fëmijë nga Prishtina, i cili ishte sulmuar nga qentë endacakë dhe kishte përfunduar në QKUK.