Punimet pa leje ujore në urën për këmbësorë tek Liqeni Akumulues, rasti denoncohet në Prokurori

Ka disa javë që punimet në urën që lidh të dy anët e liqenit akumulues në pjesën ky fillon ky liqe në qytetin e Mitrovicës Jugore janë ndërprerë.

Zëvendësministri i Mjedisit, Avni Zogiani është deklaruar në lidhje me ndërtimin e urës për këmbësorë në afërsi të Liqenit Akumulues, i cili ka ndodhur në gusht të këtij viti dhe Inspektorati ka urdhëruar ndaljen e punimeve që janë kryer pa leje mjedisore – ujore.

Sipas Zogianit, Komuna e Mitrovicës përsëri ka vazhduar punimet edhe pse Inspektorati ka ndaluar një veprimtari të tillë.

“Gjoba kemi shqiptu. Nuk e di në çfarë shkalle janë gjobat. Zakonisht sillen rreth disa mijëra euro, por është urdhëruar ndalimi i punës. Është denoncuar në prokurori dhe polici, por ne e kemi pa që puna prapë ka vazhdu. Është injoru urdhëresa e inspektoratit. Ky është problem shumë i madh me të vërtetë. Komuna e Mitrovicës ka dhënë një projekt pa i marrë kushtet ujore, ky projekt nuk ka kushte ujore” – tha Zogiani.

E deklaratën e zëvendësministrit e kundërshton Granit Tmava, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, i cili thotë se punimet për ndërtimin e urës janë ndërprerë me urdhrin e Inspektoratit.

“Jo nuk është e vërtetë, punimet nuk janë duke vazhdu. Është ndaluar puna. Punimet në urën te Liqeni Akumulues janë ndërprerë pasi që kemi marrë urdhër nga inspektorati, nga ministria, departamenti i ujërave për ndërprerjen e punimeve deri në pajisjen me pëlqim ujor. Ne jemi duke e respektu vendimin e inspektoratit deri në maksimum”, ka thënë Tmava.

 

Tutje ai thotë se DSHPI është në pritje të pëlqimit ujorë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Ne ende nuk jemi pajisur me leje nga ministria që pastaj të mund të vazhdojmë punimet aty ku kemi mbet. Jemi duke pritur pëlqimin ujor nga ministria, ende nuk kemi marrë një përgjigje. Besoj dhe shpresoj që sa më shpejt të ndodhë për shkak që jemi duke shkuar drejt stinës vjeshtore dhe punimet të vazhdojnë më tutje”.

Ndërsa, Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë në gusht të këtij viti ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë pranuar denoncimin në lidhje me këtë rast.

“Ju konfirmojmë se  më datë 4 gusht është pranuar një denoncim për këtë rast. Lënda i është ndarë për trajtim një prokurori”- ka thënë ai.

Ndryshe, Inspektorati ka urdhëruar ndaljen e punimeve që u kryen pa leje, të cilat kanë ndikuar në ndërprerjen e rrjedhës së Ibrit në Mitrovicë,

Ndërprerja e rrjedhës së Ibrit në Mitrovicë, Inspektorati urdhëron ndaljen e punimeve që u kryen pa leje