Atmosfera në stadiumin "Adem Jashari" në ndeshjen FC Drita- Malmo, Foto: KALLXO.com

Qeveria ndan 3.2 milionë euro për renovim të stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 3.2 milionë euro për projektin e renovimit të stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se është nevojshme të ndahet ajo shumë në mënyrë që të ketë vijim të punëve.

“Projekti i renovimit të stadiumit Adem Jashari ka vite që ka filluar por për shkak të  pengesave dhe problemeve, puna ka ngecur dhe tash kemi lëvizje pozitive me angazhim të Ministrisë Kulturës. Është e nevojshme të ndahet kjo shumë 3.2 milionë euro për vitin aktual në mënyrë që të ketë vijim të punëve”- ka thënë Murati.

Paraprakisht në mbledhje u miratua kërkesa e Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shpronësim për realizimin e projektit të renovimit të këtij stadiumi.

Zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani, tha se departamenti për shpronësim kishte pranuar kërkesën nga MKRS-ja dhe pas përfundimit të procedurave ka konstatuar përmbushjen e kushteve ligjore.

“Departamenti i shpronësimit pas përfundimit të procedurave të kontrollimit në aspektin teknik dhe juridik ka konstatuar përmnbushjen e kushteve ligjore dhe kërkon nga qeveria e Kosovës të nxjerrë vendim me të cilin  miratohet shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim i pronave të paluajtshme për realizimin e projektit renovimi dhe konfigurimi i stadiumit Olimpik në Mitrovicë” – tha Zogiani.

Në vitin 2020, në kohën kur Ministria e Kulturës drejtohej nga Vlora Dumoshi, ishte thënë se në këtë stadium do të investohen 12 milionë euro. Dumoshi kishte deklaruar se ky stadium do të ndërtohet sipas kritereve të UEFA-s dhe do të jetë i kategorisë së katërt.

Që nga atëherë stadiumi është degraduar dhe ka qenë në gjendje të rëndë.