Policia e Kosovës

Protesta kundër ndërtimit të hidrocentralit në Kaçanik, iniciohet procedurë ndaj 9 personave

Në mëngjesin e sotëm rreth 20 persona kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentralit në Soponicë të Kaçanikut. Protesta u moniturua edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë treguar për KALLXO.com se disa protestues kanë tentuar të sulmojnë drejtuesin e ekskavatorit.

Pasdite nëntë persona janë ftuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për mospërfillje të urdhrave të ligjshëm sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.

“Të njëjtit më pas janë liruar” – ka treguar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Banorët kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentralit me pretendimin se do t’iu sillte probleme të mëdha.

Për këtë çështje, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë ditës mori vendim për ndërprerjen e punëve në këtë hidrocentral. Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com thuhet se punimet duhet të ndërpriten deri në pajisjen me pëlqim ujor.

Për këtë vendim, pronari i kompanisë “2 Korriku”, Ejup Kovaqi tha se vetëm Gjykata mund t’i ndalë punimet.

Avni Zogiani, zëvendës ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka konfirmuar për KALLXO.com se gjatë ditës ka qenë në Soponicë të Kaçanikut.

Në një përgjigje me shkrim ai tha se leja ndërtimore e lëshuar nga Komuna e Kaçanik ishte problematike pasi që sipas tij është dhënë leje për legalizim pa ekzistuar objekt fare.

Ndërsa i pari i Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se nuk di saktësisht se cilat janë të metat e procedurave.

“Nuk e di saktësisht, ka edhe leje ndërtimore dhe pëlqim mjedisor por nuk po mundemi me e sqaru se cilat janë ato të metat e gabimeve gjatë procedurave por besoj se me kohë gjithçka do të sqarohet” – deklaroi Ilazi për KALLXO.com.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka thënë se më 24 qershor 2022 është lëshuar autorizimi për kompaninë që të mund të fillojë ndërtimin e hidrocentralit e sipas të njëjtit autorizim pritet që ndërtimi të përfundojë brenda dy vitesh.

Nga ky institucion thonë se autorizimi u lëshua pas vendimit për Leje të Legalizimit për përfundim të ndërtimit të lëshuar nga Komuna e Kaçanikut në vitin 2021, Vendimit Pëlqimi Mjedisor të lëshuar nga Ministria e Ambientit në vitin 2021 dhe Ndryshimi i vendimit për Leje Ujore të lëshuar nga Ministria e Ambientit.

Çështja e hidrocentralit në Soponicë të Kaçanikut u trajtua në KALLXO.com edhe në prill të vitit 2022.

Detajet nga hulumtimi për hidrocentralin e Soponicës, i cili është transmetuar në prill të vitit 2022, i gjeni KËTU.