Lumi Ibër në Mitrovicë, Foto: KALLXO.com

Pse u kërkua anulimi i projektit për ndërtimin e urës në afërsi të Liqenit Akumulues në Mitrovicë?

Zëvendësministri i Mjedisit, Avni Zogiani është deklaruar në lidhje me ndërtimin e urës për këmbësorë në afërsi të Liqenit Akumulues, i cili ka ndodhur në gusht të këtij viti dhe Inspektorati ka urdhëruar ndaljen e punimeve që janë kryer pa leje.

Ai tha se për këtë rast janë shqiptuar gjoba.

“Gjoba kemi shqiptu. Nuk e di në çfarë shkalle janë gjobat. Zakonisht sillen rreth disa mijëra euro, por është urdhëruar ndalimi i punës. Është denoncu në prokurori dhe polici ,por ne e kemi pa që puna prapë ka vazhdu. Është injoru urdhëresa e inspektoratit. Ky është problem shumë i madh me të vërtetë. Komuna e Mitrovicës ka dhënë një projekt pa i marrë kushtet ujore, ky projekt nuk ka kushte ujore” – tha Zogiani.

Ndërsa, Granit Tmava, Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Mitrovicës, gjatë kohës kur është raportuar për këtë rast ka thënë për KALLXO.com se kanë zbatuar vendimin për ndaljen e punimeve.

“Me datën 24.07.2023 Inspeksioni nga MMPHI ka lëshuar vendim për ndërprerjen e punimeve në lidhje me ndërtimin e urës mbi shtratin e lumit “Ibër” derisa të pajisemi me pëlqim ujor. Ne si DSHPI kemi marrë masa të menjëhershme për zbatimin e aktvendimit të Inspektoriatit për ndërprerjen e punimeve dhe kemi vazhduar me rekomandimet e dhëna për t’u pajisur me pëlqimin ujor për vazhdimin e ndërtimit të urës”.

Në konferencën “Të kuptojmë dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis”, Zëvendësministri i Mjedisit, Avni Zogiani ishte i ftuar për të folur rreth sfidave në rritje me vërshimet, shfrytëzimet dhe keqpërdorimet e lumenjve në Kosovë.

Në këtë konferencë ai tha se humbjet në sistem të ujërave janë shumëfish më të mëdha nga ato që janë raportuar zyrtarisht.

Zogiani poashtu ka folur edhe për planet për lumin “Drin i Bardhë”,  për shkak të ndotjes, por nuk ka sqaruar tutje implementimin e tij për shkak që sipas zëvendësministrit,  përmban shumë çështje teknike për të cilat duhet të bisedohet me ekspertët.

“Nuk mund ta interpretoj planin sepse është goxha teknik. Plani është aktualisht në diskutim publik, nuk është përfundimtar. Ju e dini që sipas rregullave, plani për një pellg duhet të jetë në diskutim për një vit të plotë. Tek vitin e ardhshëm mund të themi se ky është plani”.

Tutje ai ka përmendur edhe orientimin e qeverisë në raport me ujërat.

“Orientimi strategjik i qeverisë aktuale është që lumenjtë të shkojnë drejt një përdorimi me prioritetet që janë me ligj. Prioriteti i parë i ligjit është uji i pijshëm, prioriteti i dytë është agro-kultura, e tek i treti është përdorimi për shërbime komerciale” – th ai.

I pyetur për shqiptimin e gjobave nga Inspektorati Mjedisor që funksionon në kuadër të Ministrisë, për bizneset që ndotin ambientin vazhdimisht, apo edhe nëse ka kallëzime penale për këtë., Zogiani tha se mungojnë statistikat.

“Inspektorati është vetëm një segment i trajtimit të përgjithësisë mjedisore. Nuk mund të them ndonjë statistikë për gjoba sa janë dhanë por mund të them që në vazhdimësi trajtojmë gjoba të dhanuna për çështjen e ambientit.

Zëvendësministri i mjedisit, tha poashtu se policia dhe prokuroria nuk janë duke i trajtuar rastet e denoncimeve për dëmtim të ambientit.

“Zakonisht ne i kalojmë te organet e zbatimit të ligjit. Ka shumë raste, p.sh. vetëm për parkun e Sharrit ekzistojnë qindra denoncime për dëmtim të ambientit të cilat në shumicën e rasteve nuk janë trajtu fare nga organet e rendit. Nga prokuroria, nga gjykata, nuk janë trajtuar fare. Kështu është situata edhe me Bjeshkët e Nemuna”.

Ndërprerja e rrjedhës së Ibrit në Mitrovicë, Inspektorati urdhëron ndaljen e punimeve që u kryen pa leje

Qytetarët të shqetësuar për shterjen e Ibrit, institucionet në Mitrovicë me qëndrime kundërthënëse