Punimet në lumin Lepenc (prill 2022)

Banorët protestojnë për ndërtimin e hidrocentralit në Soponicë të Kaçanikut, Ministria ndërpret punimet

Banorët e fshatit Soponicë të Kaçanikut kanë protestuar kundër ndërtimit të një hidrocentrali. Rreth 20 qytetarë bllokuan punën e ekskavatorit të kompanisë që kishte filluar punën.

Protesta u moniturua edhe nga Policia e Kosovës. Të cilët kanë treguar për KALLXO.com se disa protestues kanë tentuar të sulmojnë drejtuesin e ekskavatorit.

“Gjatë zhvillimit të protestës, disa nga protestuesit kanë tentuar të sulmojnë drejtuesin e eskavatorit të kompanisë ndërtuese, mirëpo kanë intervenuar policia, situata është nën kontroll dhe po merren veprimet policore” – deklaroi Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë në Ferizaj.

Për këtë çështje, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë ditës mori vendim për ndërprerjen e punëve në këtë hidrocentral. Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com thuhet se punimet duhet të ndërpriten deri në pajisjen me pëlqim ujor.

Ejup Kovaqi, pronari i kompanisë “2 Korriku” që ka qenë duke kryer punimet në hidrocentral, ka deklaruar se vetëm Gjykata mund t’i ndalë punimet.

“Po nuk mundet as kush me ndalë një punë pa bazë se merr përgjegjësi investimin e mbi 4-milionëve, dikush duhet me i pagu. Si të kenë pare me pagu na nuk punojmë. Për qata është Gjykata. Kujna t’i teket me ndalë punën nuk mundet” – deklaroi Kovaqi në një përgjigje për KALLXO.com.

Protesta kundër ndërtimit të hidrocentralit është bërë me arsyetimin se do t’i sillte probleme të mëdha banorëve.

“Ne dolëm në protestë të qetë, punëkryesi nuk u ndal dhe ne vetëm pak tentuam të ia ndalim punën por Policia ndërhyri. Ne nuk do të lejojmë lumin me hy në gypa sepse nuk e dimë çfarë do të ndodhë me çështjen e kanalizmit, ne jemi kundër i tërë fshati” – tha Ibrahim Dalloshi për KALLXO.com, përfaqësuesi dhe organizatori i protestës.

Cilat janë problemet me lejen e hidrocentralit?

Në vendin e ngjarjes pas protestës ka shkuar zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani. Ai ka thënë se leja ndërtimore e lëshuar nga Komuna e Kaçanikut ishte problematike pasi që sipas tij është dhënë leje për legalizim pa ekzistuar objekt fare.

“Ka ekzistuar vetëm një pjesë e ndërtuar me beton që quhet ujëmarrësi, por nuk ka pasur ndërtim. Pra, ka pasur një leje për legalizim të një objekti joekzistues. Ne këtë rast ka edhe një aktakuzë nga Prokuroria e Ferizajt. Nuk mund të paragjykojmë se çka ndodhë më procesin e vlerësimit teknik të procesit të dokumenteve. Inspektorati ka dalë në teren para një jave pak a shumë. Ka qenë në proces të përpilimit të raportit dhe vendimit” – deklaroi Zogiani.

Ndërsa i pari i Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se nuk di saktësisht se cilat janë të metat e procedurave.

“Nuk e di saktësisht, ka edhe leje ndërtimore dhe pëlqim mjedisor por nuk po mundemi me e sqaru se cilat janë ato të metat e gabimeve gjatë procedurave por besoj se me kohë gjithçka do të sqarohet” – deklaroi Ilazi për KALLXO.com.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka thënë se më 24 qershor 2022 është lëshuar autorizimi për kompaninë që të mund të fillojë ndërtimin e hidrocentralit e sipas të njejtit autorizim pritet që ndërtimi të përfundojë brenda dy vitesh.

“Kapaciteti i planifikuar është 3.75 MW, ndërsa prodhimi i planifikuar vjetor është rreth 13.800 MWh” deklaruan nga ZRRE për KALLXO.com.

Nga ky institucion thonë se autorizimi u lëshua pas vendimit për Leje të Legalizimit për përfundim të ndërtimit të lëshuar nga Komuna e Kaçanikut në vitin 2021, Vendimit Pëlqimi Mjedisor të lëshuar nga Ministria e Ambientit në vitin 2021 dhe Ndryshimi i vendimit për Leje Ujore të lëshuar nga Ministria e Ambientit.

Pretendimet e banorëve për falsifikim 

Përfaqësuesi i banorëve dhe organizatori i protestës, Ibrahim Dalloshi, pretendon që punëkryesi e ka falsifikuar debatin publik që është mbajtur në lidhje me hidrocentralin.

“Është falsifiku debati, këtu gjithçka ka shku jo në rregull, ka skadu afati, ka thënë që ka mbajt debat por s’ka mbajt. E kemi të konfirmuar nga Komuna që nuk është mbajt debati. Ka mbajt debat me njerëz jo të fshatit tonë, me njerëz të kompanive të ndryshme” – ka deklaruar Dalloshi.

Ndërsa pronari i kompanisë “2 Korriku”, Ejup Kovaqi”, na ka udhëzuar t’i referohemi përgjigjes që e kishte dhënë për KALLXO.com në lidhje me këtë çështje në prill të vitit 2022. Në atë kohë ai kishte deklaruar se janë mbajtur dy dëgjime publike me banorët e interesuar duke shtuar se nuk është përgjegjës për mospjesëmarrjen e banorëve.

“Unë  kam njoftuar zyrtarisht, kam bërë kërkesë në bashkësinë lokale ku banoj dhe e kam marrë pëlqimin e hidrocentralit në lumin Lepenc. Kam bërë edhe një dëgjim publik, transparent, në një shkollë fillore. Asambleja Komunale e Kaçanikut ka marrë vendim që me përkrah pa asnjë votë kundër, si projekt dhe ndërmarrje në vitin 2015. Tokat që kanë qenë aty është dashur të behën në shndërrim nga bujqësore në ndërtimore. Tri herë kanë marrë vendime pozitive Komuna” – kishte deklaruar Kovaqi në prill të vitit 2022.

Gjykata e Ferizajt e ka konfirmuar se pronari i kompanisë “2 Korriku”, Ejup Kovaqi, është i akuzuar për veprën penale – falsifikimi i dokumenteve nga neni 390 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani, ka shtuar se me vendim gjykate është përcaktuar që për ndërtimin e hidrocentraleve kërkohet procedurë koncesioni.

“Së pari duhet të kuptohet se sektori i hidrocentraleve është në një moment tërësisht të ri që nga Vendimi i Gjykatës së Prishtinës për rastin Kelkos. Në këtë vendim Gjykata ka thënë në mënyrë eksplicite se për hidrocentrale nuk mund të jepet leje ujore, por kërkohet procedurë koncesioni. Pra, edhe operatorët duhet të vihen në dijeni që të mos fillojnë investime pa u futur në proces koncesionimi, sepse mund të dalë që investimet mund të shkojnë poshtë.  Prej tash e tutje nuk është e mundur që të bëhen hidrocentrale me leje ujore dhe me pëlqime” – thuhet tutje në përgjigje.

Organizatori i protestës, Ibrahim Dalloshi, ka thënë se ata nuk kanë qenë kundër për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël por që janë kundër pasi është rritur madhësia e tij.

“Një pëlqim ka qenë para disa kohe për një hidrocentral shumë të vogël ne s’kemi qenë kundër por rritja e tij është shumë i dëmshëm për neve. I vogli nuk na kish ba shumë dëme kurse tani ky 1.5 kilometra na sjell shumë dëme të mëdha” – shtoi tutje Dalloshi.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në fushën e energjisë dhe mjedisit me temën “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra (2015 – 2021)”.  Trajtimi i kësaj teme të auditimit është me rëndësi të veçantë pasi që shfrytëzimi i ujërave për prodhimin e energjisë elektrike duhet të bëhet në mënyrën e duhur duke mos ndikuar në cilësinë dhe rrjedhën e ujërave.

Çështja e hidrocentralit në Soponicë të Kaçanikut u trajtua në KALLXO.com edhe në prill të vitit 2022.

Edhe në atë kohë banorët patën shfaqur dyshimet për falsifikimin e debatit me ta, duke pretenduar që në debat morën pjesë vetëm punëtorët e ndërmarrjes.

Detaje nga hulumtimi për hidrocentralin e Soponicës, i transmetuar në prill të vitit 2022 i gjeni KËTU.

Shënim: Më 13.09.2023, artikullit i është shtuar përgjigja e Gjykatës së Ferizajt.