PZAP - Foto: PZAP/Video

PZAP Dënon Vetëvendosjen me 1,200 Euro Gjobë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka pranuar si të bazuar ankesën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), që ishte ankuar se VV kishte vendosur material propagandues në hapësira publike.

Sipas vendimit të kolegjit të gjyqtarëve të PZAP-së, të marrë të hënën, Lëvizja Vetëvendosje detyrohet që ta paguajë gjobën në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi nën kërcënim të përmbarimit.

Në arsyetim, PZAP thotë se më 2 qershor ka pranuar një ankesë nga KDI, e cila pretendon se më 1 qershor monitoruesit e saj kanë vërejtur se në hyrje të shkollës “Kadri Zeka” në Gjilan janë vërejtur poster të Lëvizjes Vetëvendosje.

Me këtë rast, parashtruesi pretendon se subjekti në fjalë ka shkelur dispozitën e nenit 33, paragrafi 1, pika B, të LPZ-së.

Parashtruesi si provë ka bashkëngjitur një fotografi të printuar lidhur me rastin.

Në përgjigje ndaj ankesës, Vetëvendosje thekson se pretendimet e ankuesit janë të pabazuara dhe të paargumentuara pasi që parashtruesi i ankesës nuk e ka specifikuar kohën se kur ka ndodhur ngjarja e supozuar. Prandaj, në mungesë të provave të qarta, VV ka propozuar që të hidhet poshtë ankesa si e palejuar dhe e pasafatshme.