Debat Pernime, Kaçanik. Foto: Kallxo.com

Prioritetet për Kaçanikun pas 22 Tetorit

Në Debat Pernime, kandidatët për kryetar të komunës së Kacanikut paraqitën programet e tyre qeverisëse për mandatin e ardhshëm në këtë komunë.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Basri Kodra, tha se vizioni i LVV-së do të mbështetet në tri premisa kryesore që e përcaktojnë profilin e komunës.

“Vizioni ynë do të mbështetet në tri premisa kryesore që e përcaktojnë profilin e komunës së Kaçanikut: gjeografia, historia dhe aktualiteti. Do të bëjmë spitalin rajonal për trajtimin e sëmundjeve të mushkërive dhe eshtrave. Në arsim do të hapim drejtime përkatëse për të përmbushur nevojat e bujqësisë dhe turizmit. Do të restaurojmë qendrën kulturo-historike të qytetit përmes ruajtjes së objekteve ekzistuese dhe përmes rivitalizimit të Çarshisë së Vjetër të qytetit”, tha Kodra.

Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Besim Ilazi, tha se vizioni i PDK-së është vazhdimi i projekteve dhe punëve.

“Prioritete tona i kemi fokusuar në disa prioritete si forcimi i ekonomisë lokale ku do të mundohemi të përkrahim bizneset e reja dhe bizneset e vogla të jenë në rritje e sipër, menaxhimi i mbeturinave pasi kemi hartuar një projekt për menaxhimin e mbeturinave nga viti 2017 deri në vitin 2021,trajtimi i ujërave të zeza, subvencionimi i bujqve, dhe ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, investime në shëndetësi dhe kulturë”, tha Ilazi

Kandidati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Hajrush Kurtaj, tha se kjo parti orientim kryesor ka zhvillimin ekonomik.

“Do ta kemi prioritet që të kemi sa më shumë investitorë, rregullimi i infrastrukturës. Prioritet do të jetë edhe ngritja e cilësisë në arsim si dhe shërbimi shëndetësor të jetë në nivelin e duhur. Rëndësi të veçantë do të ketë edhe bujqësia duke përkrahur me subvencione. Në veçanti do të jetë trajtimi i ujërave të zeza dhe nga dita e parë do të fillojmë punën që të furnizojmë qytetarët me ujë të pijshëm”, tha Kurtaj.

Kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkëlqim Jakupi, tha se synim i kësaj partie do të jetë zhvillimi ekonomik dhe qëndrueshmëria financiare.

“Për infrastrukturën do të ndërmarrin masa për garantimin e cilësisë për ujë të pijshëm. Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit, ndërtimi i rrugëve në fshatra është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Zhvillimi ekonomik lidhet edhe me zhvillimin e bujqësisë veçanërisht atë të pemëtarisë. Është shumë e rëndësishme edhe mbrojtja e ambientit dhe planifikimi hapësinor”, tha Jakupi.