Debat Pernime për Prizrenin. Foto: Atdhe Mulla

Polemika Baxhaku- Totaj për ‘Shtëpinë pa Leje’

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, premtoi largimin nga udhëheqja e komunës të ekipit që ka drejtuar komunën deri më tani në krye më Ramadan Mujën.

“Nuk e kam ekipin e njëjtë sepse rishtazi jam inkuadruar në parti dhe politikë”, tha Totaj.

Por Hatim Baxhaku i LDK-së akuzoi PDK-në për shkatërrimin e zonës historike të Prizrenit dhe kandidatin aktual të kësaj partie për ndërtim jashtë standardeve në këtë zonë.

Qendrën e Prizrenit nuk mund ta ruajnë ata që e kanë shkatërruar. Kandidati i PDK-së e ka një kat më lart se që i lejohet”, tha Hatim Baxhaku i LDK-së.

Shaqir Totaj replikoi me Baxhakun.

“Shtëpia është ndërtuar në vitin 2006 kur në pushtet ka qenë z. Eqrem Kryeziu”, tha ai duke iu referuar ish kryetarit të komunës së Prizrenit që vinte nga LDK.

“Shtëpia ime është me leje derisa nuk ka pasur ligj për qendrën e Prizrenit. Derisa shtëpia është ndërtuar me leje, konstatimi i tij nuk qëndron”, tha Totaj.

Drejtori aktual i Urbanizmit në Prizren, Bujar Hasani, është nën aktakuzë për uzurpim të pronës publike.

Ndërsa Mytaher Haskuka nga vetëvendosje përmendi 10 masa të cilat do t’i ndërmerrte për mbrojtjen e kësaj zone.

“Kemi 10 masa rreth trashëgimisë përfshirë implementimin e planit për qendrën historike të Prizrenit… ndriçimi i objekteve të trashëgimisë kulturore”, tha Haskuka.

Ndërsa Osman Krasniqi nga AKR tha se intervenimet e mundshme sipas ligjit në fuqi janë të ndaluara e të kufizuara.

“Investimet duhet të shtohen në nivelin më të lartë”, tha Osman Krasniqi.

Lulzim Kabashi nga AAK premtoi revitalizim të plotë të Zonës Historike të Prizrenit brenda katër viteve të ardhshme dhe kthimin e kalldrëmit në këtë zonë.

“Do të kërkoj kthimin e kompetencave nga niveli qendror në atë lokal dhe nuk do të kisha leju që një drejtor si ai aktuali të jetë më drejtor aty”, tha Kabashi.

Por Nexhmedin Ramadani nga Fjala tha se institucionet lokale do të jenë të pafuqishme për ta rregulluar këtë zonë.

“Vetëm UNESCO mund ta ruajë pjesën e vjetër të qytetit të Prizrenit”, tha Ramadani.

Kandidatja boshnjake për kryetare të Prizrenit, Emilia Rexhepi, akuzoi ata që kanë qenë përgjegjës deri më tani për këtë shkatërrim.

“Duhet të kërkohet përgjegjësi nga të gjithë njerëzit adekuatë në Prizren se si janë dhënë lejet, pse janë menaxhuar kaq keq këto çështje”, tha Rexhepi.