Debat Prnime, Klina. Foto: Atdhe Mulla

A Pihet Uji në Klinë? Kandidatët për Kryetar në Dilemë

Politikanët që po synojnë fitore në garën për Kryetar të Komunës së Klinës nuk kanë arritur të kenë konsensus për një çështje vitale në këtë komunë.

Gjashtë pretendentët për kryetarë nuk e dinë me siguri se a pihet uji që prodhohet nga një fabrikë e re e ujit në këtë komunë.

Sipas Zenun Elezajt, nga AAK, ekzistojnë dyshime se kualiteti i proklamuar i ujit nga fabrika e re nuk është i saktë.

“Mendoj se fabrika ndoshta prodhon ujë cilësor por aty ka shumë ngecje në teknologji të fabrikës. Prodhimi i ujit e ka koston shumë të lartë dhe mendoj se tashmë bahet përzirja e  ujit me ujin që vjen nga Jarinja i cili ka elemente kimike të dëmshme”, tha Elezaj.

I vetmi nga paneli i debatit pernime, i cili thotë se uji në Klinë është i pijshëm, është kryetari aktual, Sokol Bashota i cili bile thotë se e konsumon personalisht atë.

“Do e kem të vështirë me i bind qytetarët  me pi ujin, qytetarët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të marrin ujin diku tjetër. Unë në zyrën time e pi edhe familja ime. Qytetarë të nderuar, pine ujin sepse është i pijshëm”, tha  Bashota.

Në anën tjetër, Nezir Gashi  nga Nisma konsideron se problemi qëndron tek rrjeti i ujësjellësit të vjetruar.

“Ne duhet përpos mangësive në fabrikën e ujit, do ta ndryshojmë komplet rrjetin e ujësjellësit në qytetin e Klinës”, tha Gashi.

Ibër Elezaj nga LVV po ashtu u shpreh i bindur se uji që vjen në çezmat e qytetarëve të Klinës është i dyshimtë për nga cilësia, ndërkaq sipas tij këtë ujë nuk e pinë as asamblistët e partisë së kryetarit aktual.

“Përzierja e ujit nga dy fabrika e bën ndotjen e ujit në Klinë. Kur marr ujë në Pejë i shoh asamblistët e PDK-së duke marrë ujë bashkërisht” Ibër Elezaj

Ndërkaq, Besim Hoti nga LDK propozoi që Kryetari aktual i Komunës, Sokol Bashota të vërtetojë personalisht cilësinë e ujit në Klinë.

“Nuk është e vërtetë që pihet uji në Klinë. Kryetari Bashota le të del para qytetarëve dhe le te pin le ti bën reklamë që pihet uji në Klinë”, tha Hoti.

Avni Gashi nga AKR po ashtu nuk u shpreh i sigurtë mbi atë se a do duhej të konsumohet uji në Klinë.

“Është problem i madh, ne mendojmë që së pari duhet të zgjidhet problemi i ujit. A pihet apo nuk pihet, problemi është që fabrika nuk ka kapacitete”, tha Gashi.