PAN: Bujqësia, Prioritet Qeveritar

Në #DebatPernime përfaqësuesit e PAN, pa PDK-në, folën për prioritetet e tyre në bujqësi e industri.

Ymer Rusinovci i AAK-së tha se bujqësia do të shpallet prioritet qeveritar ngase ky sektor ka qenë i anashkaluar.

Ai tha se në katër vite qeverisje kanë tri prioritete kyçe.

“Prioriteti i parë është ruajtja dhe menaxhimi i tokës bujqësore. Prioriteti i dytë është konkurrueshmëria, jo vetëm në sasi por edhe në cilësi, me theks investimet në sektorin e ujitjes. Si dhe objektiva e tretë është buxheti, duke përfshi programet për prodhim bimor e blegtoral”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka sjellë përfaqësues të vet as në Debatin e sontëm Pernime, që po transmetohet në TV 21.

Debati zgjedhor temë e të cilit është industria e bujqësia ka mbledhur përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, përveç PDK-së.

Ky është debati i tetë me radhë në kuadër të fushatës zgjedhore që po bojkotohet nga PDK. Kjo parti po kërkon hapësirë më të madhe për vete dhe partitë që i mbledh në koalicion (AAK e NISMA), se sa subjektet tjera në garën zgjedhore, koalicionin LDK-AKR dhe partinë politike Vetëvendosje.

Komisioni i Pavarur për Media, javën e kaluar, kishte vlerësuar se kërkesa e PDK-së për hapësirë më të madhe në debat se subjektet tjera është e kundërligjshme.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: