Çaushi dhe Gjini ia Rikujtojnë Premtimet Kusari-Lilës

Një polemikë e ashpër dy me një u zhvillua në mes tre kandidatëve për Komunën e Gjakovës në Debat Pernime.

Driton Çaushi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje tha se me gjithë premtimet për zhvillim ekonomik në Gjakovë, kryetarja aktuale ka dështuar të rrisë punësimin.

Në anën tjetër, sipas Kusari-Lilës, kandidatja e Alternativës  , numri i të punësuarve gjatë mandatit të saj është rritur për 900.

“I them z. Çaushit se zyrtarisht se sipas ATK kanë qenë të punësuar 5351, ka pasë rritje të vazhdueshme gjatë katër viteve, janë 6193 të punësuar, rreth 900 punëtorë janë shtuar”, tha Kusari-Lila.

Kjo përgjigje megjithatë nuk ishte e kënaqshme për kundër kandidatin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

Ai ia kujtoi Kryetares së Gjakovës, kohën kur sipas tij ajo kishte premtuar 10 mijë vende të reja pune.

“Besoj se duhet të shënohet në këtë moment është 10 mijë vende të punës për me u kriju para katër viteve e 900 tash, edhe këto 900 nuk janë të sakta. Sot komuna e Gjakovës ka ma shumë borxh se sa ka pasë para katër viteve”, tha Gjini.

Ndërkaq Kusari- Lila tha se pretimi më i madh që mund ta ketë dhënë është 2 mijë vende të reja punë

‘ Gjeni një inqizim ku unë kam thënë se do të rritet numri për 10 mijë, në po të njëjtin emision, kam thënë se mund të rritet deri në 2 mijë”, tha ajo.