Komuna e Gjakovës - Foto: KALLXO.com
Buxheti i Komunës së Gjakovës për 2024, gjysma e investimeve kapitale shkon në asfalt
Gjysma e buxhetit të Komunës së Gjakovës për investime kapitale për vitin 2024, do të shkojë për investime në infrastrukturën publike, ku shumica e projekteve janë për asfaltim dhe rregullim të rrugëve, nëpër fshatra e brenda qytetit.
Kryetari Ardian Gjini thotë se është shumë e nevojshme asfaltimi i rrugëve të komunës, ndërsa opozita e kritikon për mungesë të vizionit.
Më 26 shtator 2023 në asamblenë komunale me 21 vota për, 0 abstenim dhe 12 kundër, Kuvendi Komunal i Gjakovës ka miratuar buxhetin për vitin 2024.
Shuma totale e buxhetit është 37 milionë e 483 mijë e 964 euro, duke shënuar rritje prej 5 milionë e 925 mijë e 541 eurove, në krahasim sa ishte në vitin 2023.
Po ashtu, edhe të hyrat vetanake të Komunës kanë shënuar rritje në krahasim me vitin paraprak, duke shkuar në 5 milion e 91 mijë e 658 euro nga 4 milionë e 203 mijë e 787 euro sa ishte në vitin 2023.
Edhe kategoria e subvencioneve ka shënuar rritje. Nga 620 mijë e 500 sa ishte në 2023, në 980 mijë euro në 2024.
Mbi 6 milionë euro në infrastrukturë publike – asfaltim
Shuma totale që komuna që udhëhiqet nga Ardian Gjini, ka planifikuar të shpenzojë në investime kapitale për vitin 2024, është 12 milionë e 642 mijë e 698 euro, ndërsa vetëm për rregullimin e infrastrukturës publike ku përfshihet asfaltimi dhe rregullimi i rrugëve të ndryshme në Gjakovë, rregullimi i shtratit të lumenjëve, apo sinjalizimi i trafikut rrugor, do të shpenzohen 6 milionë e 508 mijë e 608 euro.
Vetëm për ndërtimin e daljes për Pejë, që është pjesë e Qarkores së Qytetit, janë ndarë 2 milionë e 300 mijë euro, për tu shpenzuar për vitin 2024.
Po ashtu, Komuna e Gjakovës për vitin 2024 ka planifikuar që të bëjë rehabilitimin e rrugëve me asfalt në fshatrat Qerim, Piskotë, Berkoc, Has, Reka e Keqe, Reka e Mirë, Dushkaj, si dhe në lagjen Blloku i Ri. Për këtë qëllim ka ndarë 350 mijë euro.
500 mijë euro të tjera janë ndarë për rregullimin e shtratit të lumit ‘Krena’. Për këtë qëllim është planifikuar që të shpenzohen edhe 500 mijë euro të tjera, në vitin 2025.
Për rregullimin e rrugëve ‘Sulejman Hadum Aga’ dhe ‘Ismail Qemaili’ që janë rrugë në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, janë ndarë 250 mijë euro për vitin 2024, ndërsa janë planifikuar 100 mijë të tjera në 2025.
217 mijë euro për shëndetësi e 655 mijë për Arsim
217 mijë e 170 euro është shuma e ndarë për investime kapitale në shëndetësi, e 655 mijë euro të tjera për në arsim.
Për shembull për renovimin e QKMF 1 dhe QMF-ve Dardani, Orize dhe Erenik janë ndarë 152 mijë euro.
Ndërsa 65 mijë euro të tjera janë ndarë për ndërtimin e objektit për banim social.
Në fushën e arsimit, janë ndarë 95 mijë euro për rregullime dhe mirëmbajtje në 14 shkolla fillore dhe të mesme të komunës, ku përfshihen edhe ato që gjenden nëpër fshatra.
100 mijë euro të tjera janë ndarë për ndërtimin e çerdhes në fshatin Rogovë.
Ndërsa për blerjen e pajisjeve në shkollat profesionale në shkollat e mesme Hysni Zajmi – laboratorë mjekësore, të shkollës ekonomike Kadri Kusari – kabinete teknik si dhe të shkollës teknike Nexhmedin Nixha – pajisje të gastronomisë, janë ndarë 46 mijë euro.
Gjini: Nuk i lëmë qytetarët në baltë
Kritika e parë që mori kryetari Ardian Gjini në lidhje me buxhetin e vitit 2024, ishte pikërisht për asfalt.
Asamblistja e Vetëvendosjes në komunën e Gjakovës, Mimoza Shala, gjatë diskutimeve në asamble, tha se kryetari Gjini nuk ka vizion sa i përket investimeve.
“Kur jemi te buxheti, prapë si çdo herë shumica e buxhetit është në asfalt. Domethënë mungesë e vizionit dhe zhvillimit ekonomik” – tha Shala para asamblistëve.
Ajo kërkoi sqarime nga ekzekutivi, se si disa projekte në kategorinë e zhvillimit ekonomik si ‘Ndërtimi i shtegut në Shkugëz’ apo ‘Ndërtimi i shtegut për ecje në Cërmjan, Palabardh’, do të sjellin zhvillim ekonomik për komunën.
Arsyetimi i kryetarit Ardian Gjini se ‘pse krejt buxheti po shkon në asfalt’ ishte sepse sipas tij, qytetarët kanë nevojë që të iu shtrohen rrugët.
“Në dëgjimet buxhetore 80% e kërkesave ka qenë asfalt. A e dini pse? Për shkak se njerëzit nuk po dojnë me dalë në lloq (baltë) prej shtëpisë. Edhe duhet me u përfunu ky cikël. Kisha pas qef edhe unë që m`i pas përfundu dikush para meje, unë me u marrë me diçka tjetër. Por nuk janë përfundu. Kur të përfundohen më nuk kemi me folë për asfalt” – tha Gjini në asamble.
Gjini përmendi edhe disa projekte që nuk kanë të bëjnë me asfaltim të rrugëve, duke thënë se ‘nuk janë krejt asfalt’.
“E keni shtratin e lumit Krena, nuk është asfalt. E kemi lumin Lukac, nuk është. E shihni çerdhen në Rogovë, nuk është asfalt. E shihni qytetin e vjetër, rrugën qendrore, nuk është asfalt. E kemi edhe stadionin e qytetit. Nuk janë krejt asfalt. Por asfaltin nuk kemi qysh mos me e bo, për shkak se njerëzit dalin në baltë”.
“Nuk jemi duke i bo rrugët në hënë, nuk jemi duke i bo në ara, jemi duke i bo qaty ku jetojnë njerëzit”.
Në kategoritë e tjera, sa i përket investimeve kapitale, 400 mijë euro janë ndarë për bujqësi; 310 mijë euro në zhvillim ekonomik; Kulturë, Rini dhe Sport janë 1 milion e 533 mijë, ku 1 milion e 182 mijë prej tyre janë për stadiumin e qytetit; dhe 700 mijë euro për shërbime publike.
Nga buxheti total prej mbi 37 milionë eurove, mbi 18 milionë euro do të shpenzohen për paga dhe mëditje apo gjysma e buxhetit.
11.57% e buxhetit do të shpenzohet në mallra dhe shërbime, 1.81% në shpenzime komunale; 2.61% në subvencione; si dhe 33.73% në investime kapitale.
Sipas zyrtarit për media të Komunës së Gjakovës, Artan Haraqia, aktualisht buxheti është në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për shqyrtimin e ligjshmërisë.