Arkiv
Beteja gjyqësore Kusari Lila - Gjini, Apeli e kthen rastin në rivendosje
Në Qershor të vitit 2019 Gjykata e Gjakovës e kishte detyruar Ardian Gjinin t’ia paguajë ish-kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila 1,500 euro për cenim të autoritetit dhe për shkaktimin e dhimbjes shpirtërore.
Por Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin paraprak duke e dërguar të njëjtin në rishqyrtim e rigjykim.
Apeli ka vendosur në favor të ankesës së të paditurit Ardian Gjini, ankesë e ushtruar përmes avokatit Meshari Selimaj, të cilët brenda afatit ligjor ishin ankuar se vendimi ka pasur shkelje të dispozitave të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë gjendjes faktike si dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Pikërisht këtë ankesë në mbështetje të Ligjit për Procedurë Kontestimore e ka gjetur të themeltë.
Shkalla e dytë gjyqësore ka argumentuar se gjykata e shkallës së parë, ju ka referuar Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes kurse vendimin lidhur me shpenzimet e procedurës themelorja e ka mbështetur në Ligjin për Procedurë Kontestimore.
Kolegji i Apelit me anëtarët Bujar Muzaqi dhe Nora Bllaca Dula, i kryesuar nga gjyqtari Nehat Idrizi ka vlerësuar se qëndrimi juridik i Gykatës së Gjakovës ka qenë i gabuar, kjo për shkakun se mbrojtja juridike në rastet e kontesteve që kanë të bëjnë me shpifjen dhe fyerjen sikurse në rastin konkret realizohet në pajtim me dispozitat e Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes.
Gjykata ka ediventuar se sipas këtij ligji, Kusari- Lila para parashtrimit të padisë në gjykatë duhet të kishte ndërmarrë të gjitha masat e arsyeshme për ta zbutur çdo dëm të shkaktuar nga shprehja.
Si psh kërkesën e përmirësimit të shprehjes së supozuar shpifëse apo fyese nga publikuesi dhe paraqitjen e kërkesës para organit kompetent rregullativ.
Paditësja sipas gjykatës nuk ka vepruar në pajtim me këtë kërkesë të Ligjit dhe për këtë arsye kolegji e ka prishur aktgjykimin dhe e ka kthyer në rigjykim.