Bashkim Bakiu, Besa, Saraj. Foto: Atdhe Mulla

Bashkim Bakiu: Në Saraj ka Pasur Menaxhim të Keq e Jotransparencë

Kandidati i Lëvizjes Besa për kryetar të komunës së Sarajit, Bashkim Bakiu, tha në Debat Pernime se gjatë mandatit të tij do ta ngritë nivelin e transparencës në këtë komunë.

Vlerësimet e shoqërisë civile e radhisin Sarajin shumë poshtë në ranglistë të transparencës me notës “shumë dobët”, ndërsa Bakiu tha se nëse i fiton zgjedhjet lokale më 15 tetor transparencën do ta bëjë “shkëlqyeshëm”.

“Problemet janë si rezultat i keqmenaxhimit dhe jotransparencës”, tha Bakiu .

“Shpresojmë se në zgjedhjet e ardhshme nuk do t’i kemi më program furnizimin me ujë e kanalizimet sepse komunat maqedone nuk i kanë më këto çështje në program”, shtoi ai

Bashkim Bakiu tha se do të ndikojë në pushtetin qendror që Sarajit t’i ndahet më shumë buxhet.

“Do të investojmë në arsim dhe të bëjmë çerdhe në proporcion me numrin e fëmijëve. Do ta përmirësojmë infrastrukturën arsimore”, tha ai.

Ai akuzoi administratën aktuale të komunës që vjen nga BDI për mospunë gjatë mandatit që po kryhet.

“Tash ia kanë nisë të shtrojnë asfalt duke i nënçmuar qytetarët. Me një fjalë, nuk ua kanë shtruar rrugën deri më tani sepse nuk e mbani mend”, tha Bakiu.

Komuna e Sarajit i ka 40 mijë banorë.

Debatet transmetohen në TV ART CHANNEL nga sot deri më 7 tetor.

Në kuadër të këtyre debateve, shikuesit do të njihen me ofertën politike të kandidatëve për komunat Çair, Saraj, Tetovë, Strugë, Gostivar, Dibër dhe Kërçovë.

Qytetarët mund të dërgojnë pyetje për kandidatët përmes platformës online në KALLXO.com, aplikacionit mobil të KALLXO.com si dhe në Facebook të KALLXO.com.

Debatet organizohen në partneritet të KALLXO.com me PortalbVërtetëmatës/VistinomerArt Channel dhe BIRN Maqedonia.