Premtimet e koalicionit AAK-PSD për investime ekonomike

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj në DebatPernime, ka treguar sesi AAK-ja ka parashikuar ta bëjë ndarjen e buxhetit për, infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi.

Jeta Xharra: Sa milion keni me i investu në asfalt?

Daut Haradinaj: Është e padrejtë në rast se folim për shifra, por duhet të impementohen të gjitha ato projekte që kanë filluar dhe do të jetë projekt i ri saktësisht autostrada e Dukagjinit.

Jeta Xharra: A ja keni shti lapsin se po dojmë me ditë sa mbesin për arsim, shëndetësi?

Daut Haradinaj: Ajo nuk është autostradë që ndërtohet për një vit, por vlera e saj do të nxirret prej ekspertëve, unë nuk jam ekspert i fushës.

Jeta Xharra: Pali ka thënë 1 miliardë për 4 vite, i bie 250 milion euro në vit?

Daut Haradinaj: ka mënyra e fonde të ndryshme që jepen në mënyrë të buta, ne nuk do të hymë në vlera sepse unë jam i pandershëm në rast se them.

Jeta Xharra: Sa milion keni me i investu në arsim?

Daut Haradinaj: Në arsim ne kemi menduar që shihet që ka plagjiaturë të programeve, që të ketë çerdhe, të ketë edukim cilësore, kërkohen edhe fonde, minimum 20 për qind rritja e fondit në arsim.

Jeta Xharra: Sa milion keni me i investu në shëndetësi?

Daut Haradinaj: Në shëndetësi vetëm se ka filluar projekti i spitalit të kryeqytetit, ne mendojmë që secila zonë ose qendër regjionale, në këtë rast 7 zonat në Kosovë duhet ti kenë spitalet e përgatitura, por në të njëjtën kohë të krijohet edhe fondi për sigurime shëndetësore i cili i lehtëson qytetarët.

Jeta Xharra: E sa është ky buxhet për shëndetësi?

Daut Haradinaj: Në përgjithësi në total për 4 vite i bie që duhet të rritet rreth 27 për qind.

Jeta Xharra: Sa milion keni me i investu në skema sociale?

Daut Haradinaj: Në skemat sociale, në këto rrethana shkon rreth 370 milion, ndërsa në 4 vite ne presim që buxheti të jetë mbi 3 miliard dhe vlera totale le të sillet rreth 500 milion.

Jeta Xharra: Sa milion keni me i investu në bujqësi?

Daut Haradinaj: Në bujqësi ne nuk kemi shkuar rreth fondit por kemi menduar që të trajtohen veç e veç për secilin, për vreshtarët nga 1000 euro në hektarë me shku në 1300, pra me startu qysh vitin e ardhshëm, për pemëtarët nga 300 euro për hektarë kjo vlerë të paktën të dyfishohet, në drithëra dhe fara që nga 150 sa është tash të shkojë në 300 euro. Ndërsa në të njëjtën kohë me vazhdu përkrahjen në bujqësi.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.