Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Daut Haradinaj për statutin e Asociacionit: Kosova e 17 shkurtit të 2008 nuk do ta ketë formatin e njëjtë

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka reaguar lidhur me draft statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, Kosova nuk do ta ketë formatin e njëjtë nëse kalon ky version i draft statutit pa u ndryshuar.

“Njëzëri për pasojat e ASK që tashmë Kryeministri Kurti e ka pranuar, kjo si derivat i tij, që me vite refuzoi që Kosova vet ta krijojë ketë statut. Tash të shohim, por Kosova e 17 shkurtit të 2008, nuk do ta ketë formatin e njëjtë, as kushtetues e as ligjzbatues nëse kalon ky version i draft-statutit pa u ndryshuar” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kjo deklaratë e tij ka ardhur pas një takimi që ka zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm të AAK-së, Muharrem Nitaj, deputetët e AAK-së, Besnik Tahiri e Shemsedin Dreshaj dhe kryetarët e komunave nga radhët e këtij subjekti, Bali Muharremaj dhe Smajl Latifi.

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) të enjten ka debatuar në lidhje me draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

AAK-ja përmes një komunikate ka njoftuar se kanë shprehur shqetësimet për përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit.

“Kryesia e AAK-së sot ka zhvilluar një diskutim me tone shumë kritike për draft-statutin e Asociacionit. Janë shprehur shqetësimet për përmbajtjen e tij, veçanërisht për referimin në Rezolutën 1244, komisionin e arbitrazhit, si dhe raportin paralel të Asociacionit me institucionet e pushtetit qendror”-thuhet në komunikatë.

SHBA-të dhe BE-ja i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz; me presidentin e Francës, Emmanuel Macron; kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni; presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel; zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin Mirosllav Lajcak.

Pas takimit, kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.