Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Veterani më i rrejshëm është Albin Kurti

Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë pjesëmarrës në protestën që është mbajtur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Ai para mediave ka folur për kryeministrin e vendit, Albin Kurti për të cilin ka thënë se sipas tij është veterani më i rrejshëm.

“Një nga veteranët më mashtrues e më të rrejshëm në krejt këtë listë është Albin Kurti, i cili se ka pas kurrë pushkën në dorë e e gëzon statusin e veteranit” – tha Haradinaj.

 

Tutje ai shtoi se Qeveria e Kosovës po thirret në atë se ka lista të fryra të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por që sipas Haradinaj nga ana e Qeverisë po neglizhohen mekanizmat që mund të shfrytëzohen në këtë çështje.

“Ata po thirren se lista është e fryrë, e gjithë përmbajtja e kësaj teme ishte pikërisht rreth fryrjes së  listave, ndërsa në anën tjetër po neglizhohet fakti që i kanë të gjitha mekanizmat në dorë për pastrimin e listave” – tha Haradinaj.

“Sa dalin vajtojnë ne konferenca, le t’i marrin masat le t’i pastrojnë listat dhe ai që është kundërligjshëm le të largohet prej asaj liste, le të sanksionohet se ligji është shumë i qartë, por mendoj që një nga veteranët në këtë listë është Albin Kurti” – shtoi tutje ai.

Ndër të tjera, Haradinaj u shpreh se veteranët si Albin Kurti kanë qenë 2 milionë qytetarë në Kosovë, pasi sipas tij të gjithë kanë qenë në luftë.

“Nuk e dëgjova që ai heku dorë nga statusi i veteranit dhe ju gazetarët bëjani këtë pyetje se pse ai nuk heq dorë nga statusit i veteranit meqenëse nuk ka qenë ushtar i armatosur. Ligji e thotë qartë, çdo qytetarë që ka qenë nën armë e gëzon të drejtën e veteranit. Kurti vet disa herë e ka thënë se nuk ka qenë i armatosur, pra nuk është veteran” – deklaroi Haradinaj.

Sipas tij, sot në protestë mesazhet ishin të qarta. Ai mendon se duhet të ketë reflektim të institucioneve për kategoritë e dala nga lufta, pra për veteranët .

“Mos nënshkrimi i ligjit për paga, kthimi në ri-votim dhe amandamentimi i këtij ligji, kjo ishte një prej temave ndërsa ishte edhe një reagim qytetarë kundër shefes së grupit parlamentar të VV-së. Sa unë dëgjova, ishte e qartë. Kërkohet direkt shkarkimi ose edhe të paktën kërkim falja e kryeministrit dhe vet Kusarit, megjithatë është në ndërgjegjen e tyre se si do të vazhdojnë tutje por mos të harrojmë që kjo është vetëm fillimi” – u shpreh Haradinaj.

Ai po ashtu tha se do të ketë edhe protesta tjera deri në përmbysjen e kësaj qeverie, nëse sips tij nuk reflekton në kërkesat që ishin.

Mospërfshirja e veteranëve të UÇK-së në Ligjin për pagën minimale dhe publikimi i audio-incizimeve në të cilat dëgjohet Mimoza Kusari Lila duke biseduar me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, për veteranët ka bërë që të thirret një protestë në Prishtinë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përkrahur këtë protestë pasi kërkesa e tyre për përfshirje në Ligjin për pagën minimale tash e sa kohë përsëritet.

Për këtë protestë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pati një reagim dhe lidhi protestën me luftën hibride të Serbisë dhe gazetarët në Kosovë.

Ky postim i ministrit bëri që krerët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të reagojnë.