Osmani: Bandat organizuan ikjen e kosovarëve më 2014-2015

Kandidatja për kryeministre e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur krim të organizuar, valën e ikjes së kosovarëve gjatë viteve 2014-2015.

Osmani  është e ftuar sot së bashku me ekipin e saj që të shpalosin plan programin qeverisës për mandatin e ardhshëm në #DebatPernime.

“Në radhë të parë në fund të viteve 2014 dhe ka vazhduar gjatë viteve 2015, është e vërtetë që ka pasur një ikje të madhe por me informatat që i kemi marrë më vonë kemi kuptuar se ka pasur një krim të organizuar në veçanti organizim të qytetarëve tanë nëpërmjet mashtrimeve dhe dokumenteve false dhe organizatave që në mënyrë ilegale që i bartnin ata për përfitime financiare”, tha ajo.

Ajo gjithashtu i ka quajtur banda organizatat që sipas saj ndihmuan migrimit.

“Pra komplet ky ka qenë një projekt për përfitim financiar të disa organizata ilegale ose banda sepse për mua atë emër e meritojnë, të cilët në momentin që kanë filluar të ndërmarrin trajtimin e duhur nga organe të sigurisë edhe është ndërprerë emigrimi”, shtoi Osmani.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë, të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Haxhi Avdyli, Arben Gashi, Hykmete Bajrami dhe Xhavit Rexhaj.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.