Albin Kurti premton rrugë që e lidh Prizrenin me Tetovën

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë tubimit zgjedhor në Prizren, premtoi se do ta lidhë këtë komunë me qytetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut.

Kurti ndër të tjera premtoi edhe investim në sektorin e prodhimit, bursa për vajzat, e ligj të punës për punëtorët.

“Qeveria jonë do ta lidhë Prizrenin me Tetovën, do t’i lidhë dy autostradat, e për këtë lidhje duhet një tunel prej 2.5 kilometra, të cilin gjysmën do ta bëjë Kosova dhe gjysmën Maqedonia e Veriut”, ka thënë Kurti.

Ai duke folur për barazinë gjinore, Kurti tha se gratë dhe vajzat në Kosovë janë sa gjysma e popullsisë së vendit.

“Mbi 80% e vajzave dhe grave sot nuk janë pjesë e tregut të punës, e kur kërkojnë punë e kanë tri herë më së paku më vështirë se sa burrat që të gjejnë punë. Me Vetëvendosjen do t’u ofrohen grave dhe vajzave 1 mijë bursa për shkollim dhe do t’u garantohet e drejta për trashegemi”, premtoi Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes në këtë tubim foli për zhvillimin ekonomik, duke përmendur Fondin Sovran e Bankën Zhvillimore.

“Me Fondin Sovran qasja ndaj ndërmarrjeve publike dhe shoqërore do të ndryshojë plotësisht. Në vend se të privatizohen ato do të ristrukturohen, modernizohen e do të bëhen shoqëri aksionare. Me Bankën Zhvillimore do të ketë edhe më shumë qasje në kapital, edhe kapital më të lirë. Do të investohet në ndërmarrje, që të rrisim punësimin dhe prodhimin”, tha Kurti.

Ai premtoi përkrahje për punëtorët, duke thënë se do të pesëfishojë numrin e inspektorëve dhe do ta themelojë Gjykatën e Punës.

Kurti në këtë tubim tha se PDK-ja tashmë ka rënë sepse ka rënë në Prizren dhe Mitrovicë.

“Me 6 tetor krejt Kosova bëhet Prizren dhe krejt Kosova është Mitrovicë”, deklaroi Albin Kurti.