Ahmeti: Pacientëve nuk do t’u plaçkiten gjërat elementare

Përfaqësuesi i koalicionit AAK-PSD, Artan Ahmeti i ftuar në #DebatPernime ka thënë se nëse ky koalicion ia del të jetë fitues i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, nuk do të ketë më vjedhje të gjërave elementare të pacientëve.

“Duke vendosur persona të caktuar sipas meritokracisë, dhe jo sipas kriterit daja e nipi dhe mbingarkesa shëndetësore është pikërisht ajo që po ndikon te pacientët. E kemi rastin e fundit kur gjërat elementare të pacientëve po vjedhen, raportimet e fundit janë për vjedhjen e telefonave. Poashtu është mbingarkuar edhe emergjenca ku mbi 70% nuk janë raste joemergjente dhe pastaj gabimet po ndikojnë që të rritet mundësia për vdekje e pacientëve”, ka thënë Ahmeti.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.