Seanca ndaj të akuzuarve për 113 kilogramë heroinë FOTO-Elona Sejdullahu/BIRN

Shtyhet seanca ndaj pesë të akuzuarve për 113 kilogramë heroinë

Është shtyrë seanca ndaj ndaj pesë personave të cilët akuzohen për transport dhe shitje të 113 kilogramëve heroinë.

Xhemajl Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale akuzohen nga Prokuroria Speciale për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur për blerje apo posedim të substancave narkotike.

Alban Gashi akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës, ndërsa  Labinot Zenelaj për mashtrim.

Seanca e sotme u shty për arsye se mungoi i akuzuari Alban Gashi.

Mungesën e tij e arsyetoi avokati Besnik Berisha.

“I mbrojturi im, Alban Gashi mungon për shkaqe shëndetësore”, tha avokati Berisha.

Mbrotja e të akuzuarit Sadik Shala, avokati Naim Rudari propozoi që procedura ndaj të akuzuarit Alban Gashi të veçohet si dhe propozoi që ndaj të mbrojturit të tij Sadik Shala, të ndërpritet masa e paraburgimit.

Gjykata do të vendosë në seancën tjetër, për kërkesën e avokatit Rudari për veçimin e procedurës për të akuzuarin Alban Gashi. Kurse, e refuzoi kërkesën e avokatit Rudari për ndërprerjen e paraburgimit, për të mbrojturin e tij SadikShala.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Xhemail Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale, po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal i organizuar dhe strukturuar së bashku me persona tjerë që gjendeshin në territorin e disa shteteve si Irani, Shqipëria e Kosova, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë shitur dhe transportuar 113 kg substancë narkotike të llojit heroinë, të cilat fillimisht i kanë blerë në Irak dhe pastaj kanë arritur që me maune të mbushura me pllaka të mermerit t’i transportojnë për në Shqipëri dhe Kosovë.

Xhemail Shala dhe Iskender Sale gjithashtu akuzohen edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, kjo për arsye se pasi të njëjtëve i’u janë publikuar emrat e tyre si të dyshuar për trafikim me narkotikë, dhe se kanë paraqitur fakte te rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë e Obiliq, me qëllim të ndërrimit të identitetit të tyre.

Ndërsa, Alban Gashi akuzohet  nga prokuroria se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ju ka ndihmuar të akuzuarve të lartcekur në shmangien, zbulimin dhe arrestimin e tyre, duke ju bërë të mundur pajisjen me dokumente të rreme të identifikimit dhe me këtë ka kryer veprat penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale” dhe “Falsifikim i dokumentit”.

Kurse Labinot Zenelaj akuzohet për veprën penale “Mashtrim”, kjo ngase me paraqitjen e fakteve të rreme e ka mashtruar drejtorinë e auto sallonit “Alberti”, kur e ka kuptuar se kishte vdekur një anëtari i këtij grupi,  dhe ai kishte përfituar një veturë nga ai në atë mënyrë që kishte kërkuar çelësat e kësaj veture nga pronari i auto sallonit që ia kishte shitur të njëjtën tani të ndjerit.

Seanca e radhës u caktua për datën 10 shkurt në ora 9:30.

Me kërkesë të mbrojtësve, shtyhet seanca ndaj pesë të akuzuarve për 113 kilogramë heroinë