Koalicioni AAK-PSD mori 409 mijë e 500 euro pas zgjedhjeve të 6 tetorit

Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës- Partia Socialdemokrate (AAK-PSD) ka përfituar 409 mijë e 500 euro nga Fondi për mbështetje të subjekteve politike për vitin 2020.

Në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019, AAK dhe PSD kanë pasur koalicion parazgjedhor. Mirëpo pas certifikimit të rezultateve, asnjë nga kandidatët e PSD-së nuk kishte marrë vota të mjaftueshëm për t’u bërë deputet.

Këto fonde AAK-PSD i ka fituar me 13 ulëse në Kuvendin e Kosovës, shkruan në raportin vjetor financiar të miratuar sot ng Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Deputetët që kishin zënë ulëse ishin Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Bekë Berisha, Pal Lekaj, Time Kadrijaj, Rasim Selmanaj, Gazmend Syla, Ali Berisha, Arbër Tolaj, Shkumbin Demalilaj, Albena Reshitaj, Teuta Haxhiu dhe Donika Kada-Bujupi.

Nga këto 409 mijë euro nuk dihet nëse PSD e ka marrë ndonjë shumë të parave.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi tha për KALLXO.com se PSD nuk ka marrë para nga ky fond për shkak se nuk ka pasur asnjë deputet pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Në rezulatet përfundimtare të zgjedhjeve të vitit 2019, AAK-PSD kishte fituar  96.872 vota apo 11,515 përqind. 

KALLXO.com e ka siguruar raportin në të cilin thuhet se me Ligjin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2020, buxheti i aprovuar për programin Mbështetje e Subjekteve Politike ishte në shumë prej 4,200,000 euro.

Sipas raportit gjatë periudhës janar-dhjetor, sipas vendimit të KQZ-së, është transferuar buxheti në vlerë prej 3,780,000 euro te subjektet politike të cilat kanë fituar ulëse në Kuvend.

 

Ndërsa 10% e buxhetit në vlerë prej 420,000 euro është alokuar për grupet parlamentare dhe sipas kërkesave të tyre janë bërë të gjitha pagesat duke përfshirë edhe pagat e stafit.

Buxheti i shpenzuar është 4,177,306 euro apo shprehur në përqindje buxheti është shpenzuar 99.46%.

Për shumën prej 3,780,000 euro e cila iu është transferuar në llogaritë e subjekteve politike kanë raportuar me kohë sipas rregullave dhe formularëve të përcaktuar nga KQZ-ja.

Sa shpenzuan partitë politike nga Fondi për mbështetje të subjekteve në vitin 2020?