Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse po kundërshtohet bashkimi i Kardiologjisë Invazive me Kardiologjinë?

Njësia e Kardiologjisë Invazive në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës nga tash e tutje do kthehet nën ombrellën e Klinikës së Kardiologjisë. Ky vendim është marrë nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, përmes ndryshimit të statutit të këtij institucioni.

Sipas këtij ndryshimi, kjo njësi më nuk do të veprojë së bashku me njësinë e Kardiokirurgjisë, ku ka qenë deri më tash.

Latifi më 8 prill ka nënshkruar vendimin përmes të cilit ka kthyer shërbimin e Kardiologjisë Invazive në Klinikën e Kardiologjisë.

Përmes vendimit, është ndryshuar paragrafi 6.17 i nenit 12, pasi i njëjti kishte zhvendosur Kardiologjinë Invazive në Klinikën e Kardiokirurgjisë në vitin 2017.

“Plotësohet dhe ndryshohet nënparagrafi 6.17 i nenit 12 të Statutit të Qendrës Klinike Universitare i miratuar në maj të vitit 2014 si në vijim: 6.17. Shërbimi klinik i Kardiokirurgjisë”, thuhet në nenin 2.

Me këtë vendim të ri të Latifit është shfuqizuar vendimi i datës 14 nëntor të vitit 2016. Kujtojmë që këtë ndryshim e ka iniciuar bordi i SHSKUK në mars 2021.

Në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com thuhet se bashkimi i këtyre dy njësive është bërë pasi që në të njëjtën formë funksionojnë edhe në vendet e tjera të botës.

Sipas Ministrisë ky riorganizim është pranuar nga të gjitha departamentet ligjore dhe tashmë Kardiologjia dhe Kardiologjia Invazive do të funksionojnë si të bashkuara.

“Vendimi i Ministrit si përgjigje në kërkesën e SHSKUK (të dërguar nga Bordi i saj) për kthimin e Kardiologjisë Invazive në Klinikën e Kardiologjisë është bërë duke pasur parasysh praktikën e funksionimit të tillë të këtyre klinikave në të gjitha spitalet e botës perëndimore. Nga aspekti ligjor i organizimit të veprimtarive në SHSKUK, ky vendim ka marrë dritën e gjelbër nga të gjitha departamentet ligjore përkatëse në kuadër të qeverisë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për KALLXO.com.

Artan Ahmeti, kardiolog në Klinikën e Kardiologjisë, i ftuar në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar për arsyet që ai pretendon se bashkimi i kësaj njësie me Klinikën e Kardiologjisë do të jetë më i përshtatshëm për pacientët që kanë nevojë për këto intervenime.

“Një ndarje ka ndodhur de facto në kohën e ministrit Agani, pas ankesës që e patëm bërë disa nga kardiologët, ministri e ka shfuqizuar, pastaj është fuqizuar në kohën e ministrit Imet Rrahmani. Pas kësaj kohe ne kemi bërë disa herë kërkesa që të funksionojmë ashtu siç funksionon në tërë botën sepse një ndarje e tillë është jologjike dhe jo e mirë për pacientët”, ka thënë Ahmeti gjatë emisionit.

Në anën tjetër, ky bashkim i njësisë së Klinikës Invazive me Kardiologjinë po kundërshtohet nga gjashtëmbëdhjetë kardiologë invazivë, të cilët kanë kërkuar anulimin e këtij vendimi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kardiologët invazivë janë ankuar se nuk janë pyetur fare e sipas tyre është veprim kundërligjor moskonsultimi i tyre.

Gjithashtu, në kërkesën e tyre thuhet se ky ndryshim i statutit është nismë “e disa grupeve të interesit” dhe nga disa persona në Klinikën e Kardiologjisë.

“Ata, vazhdimisht, në mënyrë sistematike tentojnë ta prishin imazhin e kësaj klinike dhe kanë tendencë të minimizimit të sukseseve  të Repartit të Kardiologjisë Invazive në kuadër të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive e cila, në këto vite të funksionimit të punës së përbashkët ka treguar rezultate të jashtëzakonshme, të cilat mund të dëshmohen me fakte”, thuhet në kërkesën e kardiologëve invazivë.

Gjithashtu ata në kërkesë, përmes të cilës kanë kërkuar anulimin e vendimit, kanë thënë se tashmë u pamundësohet e drejta për të konkurruar në pozita menaxheriale (shefa repartesh e deri te drejtori).

Përfaqësuesi i tyre në emisionin “Kallxo Përnime”, kardiologu invaziv Fisnik Veliu, ka deklaruar se ky riorganizim do të ndikojë në performancën e punës së kardiologëve invazivë.

“Ne po shuhemi si klinikë, s’po bashkohemi. Në status ne nuk përmendemi as me Kardiologji e as me Kardiokirurgji. Neve po na cenohen kontratat e punës, kjo është lojë që po bëhet. Me bashkim do të bjerë numri i procedurave që kryhen”, ka deklaruar Veliu gjatë emisionit duke shtuar se kardiologët të cilët janë pro bashkimit të këtyre dy klinikave dëshirojnë t’i ikin përgjegjësisë për trajtimin e pacientëve.

I ftuar në debat ka qenë edhe Florim Shefqeti, i cili përfaqëson kardiologët invazivë. Ai ka thënë se ndryshimi i këtij statuti është i kundërligjshëm për shkak se nuk mund të ekzistojë një statut për ndryshimin e statutit.

Ai gjithashtu ka thënë se klientët e tij nuk janë pyetur fare si palë që preket direkt nga ky vendim. Tutje Shefqeti ka thënë se do të vazhdojë duke përdorur të gjitha mjetet juridike për ta kundërshtuar këtë vendim.